Arbëri

Pak pritje që në fund të mandatit, deputetët t’i miratojnë ligjet e planifikuara

Deputetët kanë edhe gjashtë muaj për ta përmbyllur mandatin aktual, ndërsa Kuvendi ka në proces shqyrtimi 43 projektligje, e Qeveria planifikon t’i sponsorizojë edhe dhjetëra të tjera. Njohës të punës së Kuvendit nuk shprehin pritjen që ligjvënësit t’i miratojnë ato, deri në zgjedhjet e 9 shkurtit

Projektligjet që ndodhen në procedurë shqyrtimi dhe të rejat që parasheh t’i sponsorizojë Qeveria, nuk pritet të marrin miratimin final brenda gjashtë muajve të mbetur, thonë njohës të punës së Kuvendit.

Janë 43 projektligje që nuk kanë kaluar në lexim të dytë, dhe dhjetëra të tjera që kabineti qeveritar ka planifikuar sivjet t’i procedojë në Kuvend.

Njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj, pret të mos ndërrojë dinamika e punës edhe në muajt e fundit të legjislaturës aktuale.

“Do të vazhdojë ky avazi i deritanishëm, nëse shohim që disa ligje kanë qenë disa herë në Kuvendin e Kosovës, qoftë kodi civil apo disa ligje të tjera, të cilat nuk e kanë marrë miratimin në Kuvendin e Kosovës, mendoj se deri me datën 9 shkurt, gjasat janë minimale që të kalojnë këto ligje”, ka thënë Ukaj.

E hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, shtroi nevojën që deputetët të reflektojnë për disa çështje, në gjashtë muajt e fundit të mandatit.

“Në sesionin e fundit të kësaj legjislature, pra në sesionin vjeshtor, edhe pse është vonë, presim që Kuvendi të adresojë disa çështje elementare për të përmirësuar punën e tij që është kuorumi në vendimmarrje. Po ashtu është e rëndësishme që vendimmarrjet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Jakaj.

Miratimi i disa ligjeve, sipas Ukajt, mund të ndodhë vetëm nëse deputetët mendojnë se me nëpërmjet kësaj vendimmarrjeje mund të shtojnë vota për vete në zgjedhjet e 9 shkurtit. 

“Mbetet të shihet se mund të ndryshojë ndoshta, përgjatë kësaj periudhe kohore edhe për shkak të mundësisë së mbledhjes së votave dhe mund të ketë edhe ndonjë interes edhe opozita që të kalojë ndonjë ligj eventual dhe më pas të shpresojë në mbledhjen e votave në zgjedhjet që do të mbahen”, ka thënë Ukaj.

Deputetët kanë shkuar në pushimet e verës, duke i lënë të pamiratuara 43 projektligje. 
Kuvendi ka përmbyllur në fund të korrikut sesionin e katërt pranveror të kësaj legjislature, me bilanc më të ulët të punës se në dy paraprakët. Iu dha miratimi gjithsej 36 ligjeve, e që janë 8 më pak sesa vjet, ndërsa 51 më pak sesa parvjet.

Më pak u punua veç në pranverën e 2021-s, kur Kuvendi e trupat parlamentarë kanë qenë në procedurë konstituimi dhe u miratuan vetëm 7 ligje.

Në këtë sesion, vetëm 16 ishin ligje të përgatitura nga Qeveria a Kuvendi, e 20 të tjerat ishin marrëveshje ndërkombëtare.

E pa i trajtuar krejtësisht, Kuvendi i ka edhe 43 projektligje.

Në tre muajt e fundit, Kuvendi i ka mbajtur dy seanca plenare dhe një të jashtëzakonshme në një sallë alternative, shkaku i punimeve për rregullimin e sistemit elektronik të votimit në sallën e seancave plenare.

Dinamika e punës, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, nuk pritet të intensifikohet as në sesionin vjeshtor, pas pushimit të deputetëve, pasi vlerësuan se ndikim të madh në funksionim do të ketë hyrja e vendit në proces zgjedhor.

Megjithëkëtë, legjislatura aktuale ka më së shumti projektligje të miratuara nga të gjitha të tjerat, gjithsej 254 sosh.