Arbëri

Pak pritje për zgjedhje të parakohshme

AAK-ja do t’i kthejë përgjigje negative kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili një ditë më parë kërkoi koordinim për shpërndarje të Kuvendit. Meqë edhe LDK-ja dha përgjigje të përafërt një ditë më parë, në Vetëvendosje rikonfirmuan se votën pro vendimit që u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, e kushtëzojnë me pjesëmarrjen në votim të deputetëve të të tria partive opozitare. Njohësit thonë se s’ka zgjedhje të parakohshme dhe se gatishmëria e partive për to, shprehet vetëm për konsum politik

Pas Lidhjes Demokratike (LDK) edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i është përgjigjur të shtunën me refuzim letrës së Partisë Demokratike (PDK), kryetari i së cilës të premten pasdite bëri edhe një përpjekje tjetër për unifikim të subjekteve politike në funksion të shpërndarjes së Kuvendit.

Në një përgjigje për KOHËN, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se është mirëpritur ftesa e PDK-së për bashkërendim ndëropozitar, porse partia që i përket nuk lëviz nga qëndrimi për mënyrën se si vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Njoftimi me shkrim për pozicionin e tyre politik dhe kërkesën për koordinim ndëropozitar është hap i duhur e i nevojshëm. Si parti gjithsesi se do t’i kthejmë një përgjigje zyrtare. Qëndrimi ynë është se kjo Qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK-ja”, ka thënë Tahiri.

AAK-ja priti më se dy muaj që debati i thirrur prej saj për punën trevjeçare të Qeverisë të zhvillohej sipas agjendës së kryeministrit Albin Kurti. Të premten, siç qe konfirmuar në kryesi të Kuvendit, Kurti shkoi në seancë, por jo edhe shumica e deputetëve. Për pasojë, AAK-ja e shtyri debatin në të cilin paralajmëroi ta nxirrte një rezolutë që e kërkon dorëheqjen e kryeministrit ose shkarkimin e tij me mocion, e më pas edhe shpërndarjen e Kuvendit.

Pas dështimit të debatit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u ka kërkuar tri partive të tjera parlamentare koordinim e veprime konkrete për ta shpërndarë Kuvendin, hap që imponon zgjedhje të parakohshme. Krasniqi ka njoftuar se për këtë, të premten u ka shkruar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku e të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi.

LDK-ja i është përgjigjur menjëherë negativisht kërkesës së PDK-së.

“Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurtit”, ka thënë të premten Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së.

Rreth dhjetë ditë më parë, kryeministri Kurti ftoi në një darkë kryetarët e partive opozitare, për të diskutuar rreth agjendës legjislative. Atë e refuzuan kryetari i LDK-së dhe ai i AAK-së, ndërkaq kryetari i PDK-së i shkoi në takim, në të cilin paraqiti kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Kurti tha se është i gatshëm për to, nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, por theksoi se për ta mbështetur LVV-ja këtë vendim, kërkon që e gjithë opozita të pajtohet.

Në këtë parti edhe të shtunën konfirmuan se mbështetjen për shpërndarje të Kuvendit vazhdojnë ta kenë të kushtëzuar.

“Ne e kemi shpërndarë këtë informatë edhe me PDK-në, se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk pranojnë të hyjnë në proces të votimit nëse nuk ka dakordim me dy partitë të tjera opozitare. Ne nuk mundemi vetëm me një kërkesë të partisë opozitare të shpërndajmë Kuvendin”, ka thënë Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar të LVV-së.

Vetëvendosja bashkë me deputetët e grupit multietnik ka 64 deputetë e PDK-ja 18. Bashkë e tejkalojnë numrin e nevojshëm prej së paku 80 deputetësh, vota pro e të cilëve do të mund ta shpërndante Kuvendin. Përveç LVV-së, edhe në PDK janë shprehur se shpërndarjen e Kuvendit nuk e bëjnë njëanshëm pa votat e pjesës tjetër të opozitës.

Në drejtim të kësaj, edhe të premten shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se nuk do të ndalen përpjekjet për të arritur dakordim me pjesën tjetër të opozitës që më së largu deri të enjten të shpërndahet Kuvendi, në mënyrë që në fund të qershorit apo në fillim të korrikut të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

E diskutimet e intensifikuara të partive politike për zgjedhje të parakohshme po bëhen vetëm sa për konsum politik, vlerësojnë njohës politikë.

Sipas tyre, asnjë partie politike nuk i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, marrë parasysh që deri tek ato të rregulltat kanë mbetur vetëm edhe disa muaj. 

Basri Muja, profesor i shkencave politike, thotë se asnjëra nga partitë nuk janë të sinqerta në kërkesat e tyre.

“Më shumë është një lojë fjalësh mes partive, por nuk shoh ndonjë vullnet të madh politik prej asnjërës prej tyre, sepse në fakt nuk i shoh arsyet apo dobitë për secilën prej tyre, as te partitë opozitare, as te partia në pushtet, e cila qëndron mirë dhe e cila mund t’i presë qetë zgjedhjet e rregullta në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Muja.

E sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson se ekzistojnë vetëm dy rrethana që mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje – një opozitë e konsoliduar dhe një presion i fortë ndërkombëtar ndaj Qeverisë. Por është skeptik si për njërën ashtu edhe për tjetrën.

“Aktualisht nuk ka ndonjë indikacion sepse opozita është e çakorduar, është jo e harmonizuar dhe presioni ndërkombëtar nuk është aq i madh sa ta shtyjë kryeministrin Kurti që të japë dorëheqje”, ka thënë Muhaxhiri.

Nga ta është vlerësuar edhe situata, kur PDK-ja ka pranuar kushtin e Vetëvendosjes që në zgjedhje të shkohet nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, ndërkaq LDK-ja dhe AAK-ja duan që kjo të bëhet nëpërmjet dorëheqjes së kryeministrit ose shkarkimit të tij me mocion mosbesimi.

Analisti Muja thotë se dy parti opozitare u druhen zgjedhjeve të parakohshme.

“Kjo kërkesë bëhet kur ata nuk dëshirojnë të ketë zgjedhje. Absolutisht prej këtij fakti jam nisur dhe kam ardhur në përfundim që vërtet partitë opozitare, posaçërisht Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje, sepse është e qartë se të gjitha sondazhet nuk i qesin mirë ato”, ka thënë ai.

PDK-ja synon që më së largu deri në fund të majit të shpërndahet Kuvendi, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në fund të qershorit apo në fillim të korrikut.

Muhaxhiri nuk shpreh pritjen që Kuvendi të shpërndahet javën e ardhshme. 

“Asnjë tentim i tillë nuk do të duhej të bëhej pa e marrë një garanci nga kryeministri Kurti që do t’u japë instruksione deputetëve të Vetëvendosjes që të votojnë për një gjë të tillë. Pra, në qoftë se kjo nuk arrihet, qoftë me ndonjë marrëveshje për ndonjë koalicion të ardhshëm apo për ndonjë arsye tjetër, atëherë çdo gjë do të jetë e pasuksesshme dhe do të kemi një forcim edhe të mëtejmë të kryeministrit Kurti në raport me opozitën e dobësuar”, ka theksuar ai.

Në PDK kanë thënë se nuk do t’i ndalin përpjekjet për arritjen e koordinimit ndërpartiak për shpërndarjen e Kuvendit, më së largu të enjten.