Nuk është zbardhur agjenda e takimit mes kryenegociatorëve, që është planifikuar të organizohet në fillim të javës në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Por, njohës të zhvillimeve politike nuk presin ndonjë rezultat. Pritje nuk shprehën as për përmbushjen e kushteve të vëna këtë javë nga kryeministri Kurti, e që lidhen me dialogun
Nuk janë shprehur pritje për rezultate konkrete nga takimi i kryenegociatorëve që synohet të mbahen në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, ka thënë se përderisa Beogradi zyrtar nuk pranon kushtet e kryeministrit Albin Kurti për rrugën përpara në dialog, takimet e kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, janë të pakuptimta.
“Ky është më shumë një takim formal dhe nuk është që do të prodhojë diçka. Edhe Borelli, edhe Lajçaku janë në një fazë kur prej tyre pritet që ta hartojnë njëfarë rikapitulimi, rezymeje të të gjithë aktivitetit të tyre të ndërmjetësimit në negociata me Kosovën. Prandaj pritjet e mia nga një takim i tillë janë minimale”, ka thënë Muja.
Bashkimi Evropian dhe as Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për agjendën e takimit mes kryenegociatorëve.
E ditën kur prezantoi kushtet e tij, kryeministri Kurti u shpreh se në këtë takim mund të diskutohet mbi planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.
Të mërkurën dështoi në Bruksel takimi i planifikuar mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Akleksandër Vuçiq.
Kryeministri tha se takimit të mundshëm duhet t’i paraprijë dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit përgjegjës për sulmin e shtatorit në Banjskë, nënshkrimi i marrëveshjeve të deritashme – Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit – dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën shprehet qëndrimi i Serbisë për të mos i zbatuar disa nga pikat e Marrëveshjes Bazë, e që kanë të bëjnë me respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Politologu Altin Gjeta i interpretoi kushtet e vëna nga kryeministri Kurti si mjet për ta refuzuar vazhdimin tutje të një procesi negociatash që nuk prodhon rezultate konkrete.
“BE-ja po mundohet të shpëtojë çfarë të mundet nga dialogu dhe kryeministri Kurti duket se e refuzon idenë në formatin aktual të dialogut si ‘business as usual’. Kjo i intereson Serbisë, por jo Kosovës”, ka thënë Gjeta. “Mendoj se kryeministri Kurti duhet t’i bindë BE-në dhe SHBA-në pse ai ka të drejtë. Për këtë duhet të jetë më fleksibil dhe proaktiv. Fakti që ai vendos kushte, tregon se ka një mosdakordim dhe krisje besimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit”.
Por, kushtet e Kurtit i sheh të arsyeshme analisti Muja.
“Sikur të mos vepronte kështu, atëherë përmes një takimi të tillë me presidentin Vuçiq, do të arrihej njëfarë normalizimi i gjendjes pas sulmit në Banjskë dhe në njëfarë forme do të përmbyllej kapitulli i Banjskës pa e marrë Serbia ende dënimin më të vogël”, ka thënë ai.
E, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se Vuçiqi nuk është i gatshëm për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Sipas saj, Vuçiq po pret ndryshimin e rrethanave politike në kontekstin ndërkombëtar, veçmas ardhjen në pushtet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ish-presidenti Donald Trump.
“Nuk jam e sigurt se si do të vazhdojë, dhe nëse të dy palët, veçanërisht Beogradi, do të jetë i gatshëm të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Nuk jam e sigurt. Kjo varet shumë nga konteksti ndërkombëtar. Para së gjithash, nga zgjedhjet në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është diçka që Beogradi e pret, duke shpresuar që Trumpi të kthehet”, ka thënë Biserko për Kosovapressin.
Ajo është shprehur pesimiste për progres në dialog, pavarësisht takimeve të mundshme të nivelit të lartë, apo edhe të kryenegociatorëve. Ndërkaq, thekson se Perëndimi nuk po e shtyn Serbinë t’i përmbushë kërkesat sa i përket vënies para drejtësisë të përgjegjësve të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Rasti Banjska ishte me të vërtetë paralajmërues për komunitetin perëndimor, se potenciali i destabilizimit që vjen nga Beogradi ekziston. Ata reaguan me shpejtësi dhe parandaluan përshkallëzimin e kësaj situate. Por, për fat të keq, Serbia nuk iu përgjigj si duhet sipas asaj që kërkohej prej saj, si nga BE-ja ashtu edhe SHBA-ja. Ata e trajtojnë këtë si reagim të komunitetit serb ndaj diskriminimit në Kosovë, që natyrisht nuk është real, se çfarë ndodhi”, ka thënë aktivistja serbe. “Prandaj Serbia nuk po u përgjigjet kërkesave, dhe nga ana tjetër, Perëndimi realisht nuk po e shtyn Serbinë që të përmbushë atë që kërkohet prej saj”.
Të mërkurën, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm për të mbajtur takim trepalësh edhe me presidentin e Serbisë Vuçiq në kuadër të bisedimeve të së mërkurës në Bruksel. Ai, në një konferencë shtypi pasi zhvilloi dy raunde takimesh ndaras me Kurtin e Vuçiqin, foli për kushtet e kryeministrit, për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
“Së pari, zyrtarizimin e Marrëveshjes Bazë nëpërmjet nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe, Ana v.j.) Bërnabiq, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, ka cituar Borrelli kërkesat e Kurtit.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është dakorduar më 18 mars 2023 në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe Vuçiq, pasi presidenti serb e ka refuzuar një gjë të tillë.
Borrelli ka thënë se Serbia nuk ka qenë e gatshme që t’i pranojë plotësisht kushtet e Kurtit, teksa ka shtuar se “presidenti Vuçiq ka lënë të kuptohet se është i gatshëm që të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”.