Pajisja për thyerjen e gurëve në veshka në Klinikën e Urologjisë nuk është në punë prej muajit shkurt.
Ndonëse në korrik, Ministria e Shëndetësisë i përuroi renovimet në këtë klinikë, aparatura vazhdon të jetë jashtë përdorimit shkaku i zhvendosjes së saj kur punimet nisën. Për pasojë, 109 pacientë janë në pritje për intervenim.
Njëri nga ta tregoi se prej një viti i duhet të durojë dhimbjet e gurëve në veshka.
“Jo hajde në këtë javë, jo hajde në këtë javë, që një vit duke e shtyrë kështu, nuk po kam pare të shkoj atje. Rrafsh që një vit. Qe sa, jo sot, jo nesër, jo në këtë javë, jo në këtë javë, e hala s’e vendosin. Privat po kushton shumë vallahin, 1500 euro m’i kanë kërkuar”, ka thënë ai.
Në Qendrën Klinike Universitare thanë se problemi do të marrë zgjidhje.
Sipas drejtorit Osman Hajdari, këtë javë do të bëhet pranimi teknik i hapësirës së re të adaptuar për këtë pajisje.
“E kemi zhvendosur nga Blloku Operativ i Urologjisë në hapësirat e depos së kësaj klinike ose Bllokut Operativ të Kirurgjisë, një hapësirë e cila ka qenë totalisht e pashfrytëzueshme. Thjesht ka qenë në depo. E kemi kthyer në një hapësirë të shfrytëzueshme, në mënyrë racionale, ku shërbimet qytetarët tanë do t’i marrin jo më prej orës 7 të mëngjesit deri në orën 13, por kjo pajisje do të shfrytëzohet deri në orën 7 të mbrëmjes”, është shprehur Hajdari.
Hajdari thotë se pajisja do të funksionalizohet javën e ardhshme e zgjatja e orarit do të ndikojë edhe në heqjen e listës së pritjes.
“Ideja është të fillohet me orar të zgjatur, për shkak se i kemi marrë masat. Domethënë, thjesht edhe sa i përket stafit profesional edhe sa i përket stafit infermieror. Kështu që ne planifikojmë brenda javës së ardhshme të startojmë si shërbim që kjo listë, e cila është adaptuar edhe sot, të cilën ma ka dorëzuar, do të fillojnë, edhe kjo listë diku për dy-tri javë faktikisht vjen zero”
Ministrinë e Shëndetësisë arsyetuan vonesat në funksionalizimin e pajisjes, me procedura të tenderimit të rinovimit të objektit të Urologjisë. Sipas Ministrisë, pajisja që është e vetmja e këtij lloji, do të ofrojë zgjidhje afatgjate për pacientët, edhe gjatë viteve të ardhshme.
“Vonesat kanë ardhur si pasojë e procedurave të tenderimit për këtë projekt të ri. Kjo është e vetmja pajisje e këtij lloji dhe do të ofrojë një zgjidhje afatgjate për pacientët që kanë nevojë për këtë ndërhyrje për vitet e ardhshme”, ka deklaruar Durim Elshani, këshilltar politik në MSH.
Intervenimi me pajisjen për thyerjen e gurëve në veshka realizohet edhe në spitalet private, me çmim deri në 2 mijë euro. Në QKUK, ajo ishte jashtë funksionit edhe gjatë muajit gusht dhe tetor të vitit të shkuar.