23:58 Për deputetin e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Zenun Pajaziti, është mirë që tema e zhbërjes së Gjykatës Speciale, tashmë mund të konsiderohet e mbyllur.
“Për fat të mirë kemi një deklarim të qartë edhe prej liderëve të shtetit. Pas kryetarit të Kuvendit, z. Kadri Veseli, që u deklarua para vitit të ri, kemi deklaratën edhe nga kreu i Qeverisë dhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi”, ka thënë Pajaziti, në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka thënë se shqetësimi për krijimin e kësaj Gjykate, në disa aspekte mund të cilësohet edhe si me vend.
“Në prag të krijimit të një institucioni, që është ndoshta më delikati që e kemi pasur deri tash siç është ajo e Gjykatës Speciale, dolën skandalet në EULEX. Kjo ngjalli dyshime te njerëzit, se mos edhe kjo Gjykatë do të përfshihet nga skandale të tilla”, ka thënë Pajaziti, përcjell Koha.net. “Ngjarjet që kanë ndodhur, jo krejt gjykimet kanë dalë të jenë të paanshme”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar edhe nënshkrimin e tij, bashkë me 42 deputetë të tjerë që donin seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të zhbëhej Ligji për Dhomat e Specializuara dhe ajo për Prokurorin Special.
"Jo rrallë ne deputetët jemi në situata të tilla. Unë gjithmonë kam qenë korrekt me qëndrimet e partisë dhe Grupit Parlamentar. Grupi Parlamentar e ka mbajtur një mbledhje ku ka marrë qëndrim që të mbahet një Seancë për këtë Gjykatë. Mendoj se paksa është ekzagjeruar ideja e deputetëve, edhe sikur të kishim mbajt atë seancë nuk mund të paragjykohet votimi, por po them edhe njëherë, është mirë që është mbyllur kjo temë”, ka thënë Pajaziti.
Pajaziti ka thumbuar edhe liderët që e kishin zhvendosur këtë përgjegjësi vetëm te deputetët.
“Nuk është korrekte nga liderët që të thuhet se është vetëm në dorën e deputetëve, mendoj se është një përgjegjësi e plotë e lidershipit të partive politike”, ka thënë ai.
23:45 Pajaziti: Para se të votohet për demarkacionin të ketë dakordim paraprak
Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti në Interaktiv të KTV-se ka thënë se është momenti i fundit për politikën kosovare që ta zë hapin për demarkacionin, por ajo nuk duhet të sillet në Kuvend pa konsensus paraprak ndërmjet partive poltike.
Ai ka thënë se javën që vjen kjo temë do të shtrohet në Kuvend, ndërsa ka bërë thirrje që të merrë përgjigje pozitive.
“Sipas të gjitha gjasave javën që vjen kjo temë do të shtrohet në Kuvend, ky është moment i fundit për politikën kosovare që ta nxënë hapin për këtë temë. Në mënyrë që kjo çështje të trajtohet pozitivisht në BE. Nuk kemi pasur së fundmi ndonjë takim për këtë temë. PDK ka pasur kaherë qëndrimin për shënjimin e kufirit. Në këtë mandat kemi kërkuar si parti që të marrim përgjegjësitë tona dhe të bëhet një konsensus i përbashkët. Deklarimet e liderëve tani janë më të mira. Jemi në prag të Pavarësisë dhe duhet si politika të jemi të përgjegjshëm”, është shprehur Pajaziti në Interaktiv të KTV-së.
Pajaziti thotë se demarkacioni ka gjasë që të sillet në seancën e radhës në Kuvend, ndërsa shton se është e pajustifikueshme vonesa që i është bërë kësaj teme.
“Ka mundësi që në seancën e radhës të jetë në Kuvend. Personalisht e kam thënë se nuk do të kishte mirë që kjo marrëveshje të mos sillej në Kuvend pa ndonjë dakordim. Nëse ka një reflektim me siguri do të ketë takime rreth kësaj. Shumë deputetë nuk do të donin që të sillej në Kuvend pa dakordim. Po shpresoj se gjatë kësaj jave të marrë fund çështja e demarkacionit, pasi siç dihet kjo është një nga kushtet për liberalizim të vizave. Është një vonesë e pajustifikueshme, kjo është koha e fundit që kjo çështje të trajtohet në mënyrën më të lartë”, është shprehur ai.
Ai thotë se ka një tendencë për ta zgjidhur çështjen e demarkacionit.
“Është mirë nëse gjendet ndonjë shteg dalës nga kjo situatë. Kjo është një marrëveshje e punuar nga dy qeveritë e dy vendeve. Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet ose të mos ratifikohet. Më shumë se kaq nuk kemi se çfarë të bëjmë. Nëse ka një dëshirë që kësaj t’i bashkëngjitet edhe një deklaratë si Kuvend. Më duket se ka tendenca për të gjetur një rrugë dalëse për të dalë prej kësaj situate. Ditët në vijim duhet njëfarë konsensusi, është krijuar një momentum i mirë. Liderët duhet ta shfaqin këtë vullnet”, ka thënë Pajaziti.
Pajaziti e ka cilësuar shumë pozitive vizitën që do ta bëjë kryeministri i Malit të Zi me rastin e 10 vjetorit të Kosovës.
“Një vizitë e tillë është shumë pozitive, e kryeministrit malazez. Nuk duhet të harrojmë se Mali i Zi është njëri nga shtetet e para që na kanë njohur, e kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë ai.
Ai thotë se ngjarjet në dy vitet e fundit në Kosovë, demarkacioni dhe Gjykata Speciale ka lëkundur besimin e Evropës në Kosovën.
“Kemi ardhur në disa situata të palakmueshme në vitet e fundit. Zoti Bulliqi, nuk e di nëse është si ekspert apo si politikan. Personalisht jam i prirur t’iu besoj ekspertëve që nuk janë pjesë e politikës. Nuk kam pa asgjë të re kur këta kanë raportuar për demarkacionin. Kemi përgjegjësi politike dhe nuk mund t’i ndryshojmë fatkeqësitë historike, dhe këtë e dinë të gjithë. Nuk mund t’i ndreqim kufijtë. Krejt çka është zhvilluar në dy vitet e fundit e ka lëkundë besimin e tyre në ne (BE)”, është shprehur ai.
00:00 Pajaziti: Haradinaj ka qenë i etur ta qeverisë Kosovën
Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, ka folur për punën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, për të cilin ka thënë se ‘po ia del mirë’.
Ai në Interaktiv të KTV-së tha se në këto kushte që vepron qeveria e Kosovës, duke u bazuar edhe në numrin e madh të zëvendësministrave, “s’mund të ketë efikasitet të jashtëzakonshëm, por Haradinaj ka veprime të mira”.
Por tutje ai shtoi se jo të gjitha veprimet e Haradinajt kanë qenë populiste, duke veçuar vendimin për rritjen e pagave.
“Megjithatë ne jemi të prirë më shumë të shohim gabime tek të tjerët. Në këtë dhjetë vjetor kemi aq shumë punë e kemi bërë aq shumë sa që po harrojmë s’i kemi qenë para 10 vitesh”, tha ai duke shtuar se megjithatë Ramush Haradinaj ka qenë i etur që të qeverisë vendin, prandaj ai tani e ka këtë shancë.
“Haradinaj ka qenë i etur ta qeverisë vendin. E ka marrë qeverinë në një kohë kur vendi nuk ishte edhe aq mirë”, tha ai.
Në ndërkohë, ai ka folur edhe për problemet e fundit mes Bekim Haxhiu dhe Sami Lushtakut.
“Unë nuk jam i familjarizuar me këto probleme. Por sot Veseli ka shkuar t’i vizitojë dhe gjithçka ka shkuar mirë. Normalisht PDK-ja tani do t’i ketë zgjedhjet e brendshme, e në procese elektorale këto gjëra janë normale dhe të tejkalueshme”, tha ai.