Arbëri

Pahor kundër ndryshimit të kufijve, përkrah “Open Balkanin”

Në hapjen e panelit të pasdites të Forumit Strategjik të Bledit, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka thënë se ndryshimi i kufijve në Ballkan është i papranueshëm.

Ai ka thënë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet për BE-në.

Pahor i ka quajtur ide të rrezikshme ndryshimin e kufijve.

“Besoj se ndryshimi i kufijve nuk mund të bëhet në mënyrë paqësore. Vetëm një zgjerim i shpejt i BE-së te shtetet e Ballkanit Perëndimor, mund të forcojë parimin e integritetit territorial, dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, ka thënë Pahor.

Pahor ka thënë se duhet të jetë interes i dyanshëm si i BE-së ashtu edhe i shteteve të Ballkanit Perëndimor që Ballkani Perëndimor të përfshihet në familjen evropiane sa më shpejt të jetë e mundur. Shtyrja apo vonimi i zgjerimit mund të ketë pasoja të padëshiruara për dy palët.

Ai ka thënë se kanë interes gjeopolitik si BE-ja ashtu edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor në këtë.

Pahor ka thënë se vonimi i procesit të zgjerimit të BE-së te shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të ketë katër efekte negative: zbehjen e besimit të dyanshëm, ngadalësim të reformave, ngritje të nacionalizimit dhe hapja e rrugëve për ndikimin e të ashtuquajturave shtete të treta.

Pahor ka thënë se në strategjinë e zgjerimit BE-ja duhet ta shoh Ballkanin Perëndimor si të tërë e jo si pjesë të ndara, siç është rasti tash. Por ai ka thënë se nuk do të thotë se duhet të ndalen negociatat me qeveritë apo shtetet e caktuara, por se BE-ja dhe shtetet anëtare, duhet të bëjnë më tepër për procesin e zgjerimit, për të pasur ndikim në bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të sigurohen se këto shtete ta shohin procesin e zgjerimit si stimulim për bashkëpunim e jo për garë.

Presidenti i Sllovenisë i  ka dhënë përkrahje iniciativës për “Open Balkan”, duke thënë se e di që ka opinione të ndryshme rreth saj, por theksoi se ai mendoj se kjo është ide konstruktive.

Ndërkaq, kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, ka bërë pyetjen se çka do të ndodhë me Bashkimin Evropën pas dhjetë vjetësh, nëse nuk përmbushet ideja e krijuesve të BE-së.

“Çka do të ishte BE-ja pas 10 vitesh, nëse nuk përmbushet. Çfarë kriza do të ketë, çfarë fqinjësie do të kemi dhe kjo është ajo çka harrova të përmend gjatë panelit të parë”, ka thënë Janša

Ai ka shtuar se ideja origjinale e themeluesve të BE-së duhet të përmbushet, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke pritur që t’i bashkohen familjes evropiane.