Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, e ka konfirmuar se dëshiron ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun në postin e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, raporton agjencia sllovene e lajmeve “STA”.
Sipas kësaj agjencia Pahor e ka mbështetjen e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe ka folur me shumë zyrtarë të BE-së për këtë çështje në muajin e kaluar.
Gazeta sllovene “Delo” ka thënë se kryeministri Golob ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar për Pahorin, që ta zëvendësojë Lajçakun.
“Ish-presidenti Pahor, me punën dhe përvojën e tij të mëparshme politike, ka dëshmuar se është një mik i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e tij, si dhe përpjekjet e Sllovenisë, kanë synim përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën”, thuhet nga zyra e kryeministrit Golob.
Mandati i Lajçakut përfundon në gusht.