Qeveria e rriti buxhetin për 21 milionë euro, për t’i mbuluar pagat dhe shtesat e punonjësve të sektorin publik për muajin dhjetor. Ani se me buxhetin e 2023-s për këtë destinim ishin paraparë 745 milionë euro, shuma doli e pamjaftueshme. E krahas kësaj, në mbledhjen e fundit të Qeverisë u bënë edhe rialokime tjera
Qeverisë nuk i ka mjaftuar buxheti prej 745 milionë eurosh për mbulimin e pagave dhe të shtesave të sektorit publik për vitin 2023. Në fundvit, këtij buxheti iu shtuan edhe 21 milionë euro të tjerë, 6.6 milionë prej të cilëve u morën nga rezerva, që burim financimi pati huamarrjen.
Në vendim u arsyetua se këto mjete i dedikohen mbulimit të mungesës së mjeteve buxhetore për ekzekutimin e pagave të dhjetorit. E përveç për paga, në mbledhjen e fundit të Qeverisë janë bërë edhe rialokime të tjera të mjeteve. Rreth 5 milionë euro janë marrë nga investimet kapitale dhe 7.3 milionë euro nga mallra e shërbime, që u destinuan për projekte të komunave që kanë hyrë në obligime kontraktuale.
Rreth 3.9 milionë euro janë tërhequr nga projekti i rrugës Dollc-Gjakovë, i cili ka ngecur në realizim, si dhe nga ai për rrugët Prizren-Prevallë e Komoran-Drenas-Skenderaj, nga të cilat janë hequr nga gjysmë milioni euro.
E profesori Ujkan Bajra mendon se duhet të ekzistojë një ekuilibër i përmbushjes së nevojave sociale, pa kompromentuar investimet e vazhdueshme në projekte kapitale.
“Nuk mund të presim që kjo shkallë e ulët e investimit të prodhojë efektet të mira për ekonominë dhe aq më tepër kur orientimi i mjeteve publike kryesisht ka target subvencionet dhe skemat sociale”, thotë Bajra.
Ai thotë se edhe në buxhetin e vitit 2024 vërehet se organizatat kanë zero investime të reja kapitale dhe se ato, për pasojë të ngecjeve, janë bartur nga viti në vit.
“Kjo tregon edhe për performancën e dobët të realizimit të buxhetit për të parë mjaftueshmërinë e shpenzimit të këtyre mjeteve, të cilat janë të dedikuara për një projekt të caktuar dhe të cilat fatkeqësisht nuk kanë arritur të shpenzohen dhe të prodhojnë apo t’i shtojnë vlerë ekonomisë”, theksoi ai.
Javë më parë janë bartur edhe 60 milionë euro nga projekte të tjera kapitale, të cilat kanë ngecur në realizim.
Por, prej tyre, vetëm 47 milionë janë bartur për realizimin e projekteve të tjera që janë në zhvillim, ndërsa pjesa tjetër në subvencione dhe transfere si dhe në mallra e shërbime.