Çështja e pagave dhe ikjes së mjekëve ka përplasur kandidatët për deputetë të Vetëvendosjes, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës e atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Debatin e ka nxitur kandidatja e VV-së, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, e cila ka thënë se pagat për mjekët janë rritur si kurrë më parë, e se me rritjen e pagave është rritur kërkesa për licencime për të qenë pjesë e sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Për herë të parë barazohet mjeku specialist me deputetin, përfshi kujdestaritë. Paga 600, është bë 1300. Këta le të jenë të lumtur që ne, sido që të jetë, edhe pse do e kemi edhe Qeverinë Kurti 3, paramendo çfarë baze po e lëmë... së paku paga më nuk do të ulet. Për profesionistët tjerë shëndetësorë, patjetër që do të bëhet një rivlerësim. Infermierëve teknikë edhe do t’u rritet paga menjëherë në fillim të vitit, por puna e tyre do vlerësohet si e meritojnë”.
Kollçaku-Mulhaxha ka shtuar se ka pasur “trefishim më shumë kërkesa për kthim sesa për largim nga Kosova”.
Kandidati i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, e ka quajtur këtë dezinformatë.
“Kjo është dezinformatë, ikja është shumë më e madhe se prurja”, ka thënë ai.
Kandidati i PDK-së, Bekim Haxhiu, është shprehur se për tri vitet e fundit numri i të larguarve nuk ka qenë kurrë nën 180.
“Ligji i Pagave është miratuar më 2022, veç mjekë specialistë 2022-2023-2024 asnjë vit nuk është nën 180 që kanë ikur”.
Ardian Shala, kandidat i PDK-së, ka theksuar se ekspertët shëndetësorë që Qeveria ka thënë se do të vinë, nuk kanë ardhur asnjëherë.
Është thënë se kanë me ardhë shumë ekspertë prej jashtit, kanë me kontribu shumë, me padurim kemi pritë, asnjëherë kurrë nuk i kemi parë. Në të kaluarën i kemi parë, në këtë mandat të Qeverisë jo.
