Drejtoritë komunale të arsimit kanë shprehur si shqetësim rënien e interesimit për t’u bërë drejtorë në institucionet arsimore. E si rrjedhojë disa shkolla kanë mbetur pa drejtor. Shkak vlerësohet paga e tyre e ulët në krahasim me përgjegjësinë që kanë. Sipas njohësve të arsimit, drejtorët e shkollave janë kategoria më e diskriminuar në sistemin arsimor
Ka një vit që institucioni arsimor “Ali Krasniqi” në Ujmirë të Klinës ka mbetur pa udhëheqës të shkollës. Në konkursin për drejtor nuk ka pasur interesim për të marrë këtë pozitë.
Drejtori i Arsimit në Klinë, Qemajl Sejdija, tha se arsye e mosinteresimit është paga.
“Një shkollë në Ujmirë ku realisht nuk kemi pasur kërkesa për t’u bërë drejtor, ajo është sfida më e madhe që e kemi. E kemi diku qe një vit pa drejtor si shkollë, arsyeja e vetme është mosvlerësimi në listën e pagave ku diku 60 euro dallon prej mësimdhënësve, sikur ka rënë ajo dëshira për t’u bërë drejtor”, ka thënë Sejdija.
Rroga e drejtorit me atë të mësimdhënësit dallon 63 euro. E në raste kur mësimdhënësi ka më shumë vjet përvojë pune sesa drejtori, e tejkalon me pagë.
Rënia e interesimit për t’u bërë drejtor është shfaqur edhe në komunat e tjera. Muhamet Gjoka, drejtor i kolegjiumit të drejtorëve komunalë të arsimit, numëron disa arsye të rënies së interesimit për këtë pozitë.
“Është evidente rënia e interesimit të mësimdhënësve për pozitën e drejtorit. Disa nga arsyet janë dallimi në pagë në krahasim me pozitën e mësimdhënësit. Kemi raste kur drejtori është më i ri në moshë e mësimdhënësi është më i vjetër, e kalon me pagë pozitën e drejtorit. Një tjetër çështje është edhe përgjegjësia e madhe që kërkon kjo pozitë. Orari është më i gjatë dhe duhet të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë. Pastaj ndikon edhe paqartësia për të ardhmen e tyre se ku do të sistemohen pas përfundimit të mandatit për ushtrimin e pozitës së drejtorit”, ka theksuar Gjoka.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, i cilëson drejtorët e shkollave si kategorinë më të diskriminuar në sistemin arsimor. Ai shtoi se paga e tyre duhet të rritet pasi menaxhimi i mirë i shkollave rrit cilësinë në mësimdhënie.
“Unë konsideroj që drejtorët janë ndër kategoritë më të diskriminuara në sistemin arsimor të Kosovës së bashku me fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian... Pasojat janë niveli i ulët i organizimit të mësimit në shkolla dhe niveli i ulët i cilësisë së arsimit parauniversitar në Kosovë. Unë konsideroj që 30 për qind e rezultateve në testin PISA në mospërgatitjen në jetë të fëmijëve tanë qëndron pozita e drejtorëve”, ka thënë Rexhaj.
Aktualisht paga e drejtorit të shkollës së mesme të lartë është 748 euro, ndërsa e drejtorit në institucionin fillor dhe të mesëm të ulët 737 euro.