Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka dhënë detaje lidhur me padinë që do ta dorëzojnë ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me kontratën kolektive.
Komunat, sipas tij, po humbin miliona euro, xhirollogaritë e tyre bllokohen, e disa nga ato janë para falimentimit dhe rrezikojnë të mbyllen. Krejt kjo për shkak se mësimdhënësit po kërkojnë pagesat që i takojnë me kontratë kolektive.
Ibrahimi ka deklaruar se derisa niveli qendror është nënshkrues i kontratave, ata duhet ta marrin edhe barrën financiare, pasi që komunat po dëmtohen me miliona euro.
“Kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror, kurse barra financiare i bie komunave, dhe kjo është duke zgjatur, komunat janë dëmtuar nga buxhetet e veta komunale me miliona euro. Këto miliona, destinimi i tyre ka qenë për investime kapitale, për përmirësimin e jetës së qytetarit, mirëpo nga përmbaruesit, nga niveli qendror, iu lëndon arsimtareve, mësimdhënësve për zbatimin e kontratave kolektive edhe pse nuk janë nënshkrues. Këto kontrata, komunave iu kushtojnë me miliona euro, ka raste kur xhirollogaria e një komune të madhe në Republikën e Kosovës ka qenë e bllokuar shkaku i pamundësisë së zbatimit të dispozitave nga kontratat kolektive, ka raste kur komunat kanë qenë të ballafaquara para falimentimit, për shkak se mjetet financiare kanë qenë me qindra mijëra euro, të cilat menjëherë i kanë ardhur urdhrat për zbatim dhe ka komuna që nëse në një të ardhme të afërt do t’i merren mjetet financiare përnjëherë për të gjitha obligimet që dalin nga kontratat kolektive, atëherë mund të vihet deri të mbyllja e komunave, sepse nuk munden prej buxheteve vetanake, komunat e vogla dhe komunat e mesme t’i zbatojnë të gjitha obligimet financiare që dalin nga kontratat kolektive”, ka thënë ai.
Sipas tij, problem mjaft i madh është moskomunikimi i nivelit lokal me atë qendror, pasi që kjo ka ndodhur edhe në takimin e fundit të komisionit të granteve, ku është nga asociacioni është ngritur si shqetësim çështja e kontratës kolektive, mirëpo kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.
“Edhe në takimin e fundit të komisionit të granteve, takim i cili është mbajt para disa muajve, përfaqësues i AKK-së, i cili është në këtë komision, dhe i cili është anëtar i bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sokol Haliti, e ka ngritur këtë shqetësim, mirëpo kërkesa jonë ka has në vesh të shurdhër. Niveli qendror nuk po dëshiron t’i përkrah komunat sa i përket zbatimit të këtyre kontratave kolektive edhe pse janë nënshkrues të këtyre kontratave. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë, janë nënshkruese të këtyre kontratave dhe kërkojmë që ata ta marrin përsipër edhe barrën financiare, e jo t’ia lenë komunave”, vijoi Ibrahimi.
Ibrahimi shtoi se padrejtësia më e madhe që i është bërë komunave këtu është që niveli qendror ka nënshkruar në kurriz financiar të komunave.
“Po besojmë që në të ardhmen niveli qendror do t’i marrë të gjitha obligimit sa i përket zbatimit të kontratave kolektive por edhe borxheve të cilat kanë mbetur, sepse përmes proceseve të përmbarimit këto borxhe po rriten, një përqindje e jashtëzakonshme, dhe pastaj po merren mjetet financiare nga buxhetet komunale. Mirëpo po shihet që gatishmëria e nivelit qendror në zgjidhjen e këtij problemi nuk ka vullnet, dhe po shpresojmë që nëpërmjet organeve të drejtësisë, neve do e fitojmë rastin”, tha ai. /KSP