Arbëri

Padi ndaj Kuvendit për gjuhë diskriminuese, “deputetët sulmuan komunitetin LGBTQI+”

Marigona Shabiu

Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e YIHR-Kosovë (Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut), ka njoftuar se është paditur Kuvendi i Kosovës për gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBTIQ+, pasi sipas saj, disa deputetë kanë pasur gjuhë urrejtëse dhe fyese.

Ajo ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se komunitetit LGBTIQ+ është pjesë e shoqërisë kosovoare, derisa ka theksuar se kjo është padia e parë ndaj deputetëve për gjuhë diskriminuese.

“Deputetët kanë përdorur gjuhë të urrejtjes, gjuhë diskriminuese, fyese dhe diskriminuese ndaj një grupi të cenueshëm që jeton në shoqërinë tonë, e në këtë rast është komunitetit LGBTIQ+. Për herë të parë është paditur një deputete ose një deputet për përdorim të gjuhës në Kuvend. Është skandaloze dhe shqetësuese pasi në Kuvend, deputetët supozohen që të mbrojnë Kushtetutën si dhe t’i respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, jodiskriminimi, barazia para ligjit janë vlera të përcaktuara”, është shprehur Shabiu.

Drejtoresha ekzekutive e YIHR-Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i votojnë kandidatët për deputetë që shprehin gjuhë urrejtëse dhe ofenduese ndaj komuniteteve në Kosovë.

“Kuvendi ndonëse ka rregulloren që duhet të respektohet, s’kemi parë ndonjë veprim, pra pos kryesuesit të seancës që në këto raste ka kërkuar të mos vazhdohet me një gjuhë të tillë, s’janë marrë masa disiplinore ndaj deputetëve për gjuhë diskriminuese. Kemi paditur Kuvendin pasi ka shkelur rregulloren kryesuesi i seancës, por në të njëjtën kohë as s’ka ndikuar që të punojë ose përmes masave disiplinore ndaj deputetes Labinotë Demi-Murtezi, që të ndikojë te masa mos të krijohet klimë kundër komunitetit LGBTIQ+”, është shprehur.

Shabiu ka deklaruar se Kodi Civil aktual nuk e rregullon martesën në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët. Ajo tha se nëse kalon, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.