Arbëri

Pacolli përplaset me deputetët për lidhjen e tij me biznesmenin që e bëri konsulli nderi në El Salvador

Pyetjet e Glauk Konjufcës për biznesmenin kundërthënës Enrique Rais nga El Salvador, e kanë nervozuar ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Pacolli, para Komisionit për Punë të Jashtme, është pyetur për lidhjet e tij me Rais-in, si dhe nëse ka njohuri për problemet me ligjin të biznesmenit, raporton KTV.

Njëherësh zëvendëskryeministri Pacolli, me gjasë kishte harruar se e kishte emëruar Rais-in qysh në gusht të 2012-s për konsull nderi në Honduras, pasi një gjë të tillë e mohoi para komisionit.

Emri i Rais-it, ishte në mesin e 6 konsujve të nderit që i kishte emëruar Pacolli, ndërsa KTV-ja para dy vjetësh, kishte raportuar për njërin prej tyre, Olivier Nutsugan në Benin, po ashtu një biznesmen.

Pacolli ia ka bërë të ditur komisionit se Rais-i ka blerë një apartament në hotelin e tij në Zvicër dhe, për disa muaj, Pacolli kishte shfrytëzuar një prej aeroplanëve privatë të tij.

Me nervozizëm, para komisionit ka shpjeguar se Rais-in e ka njohur përmes ish-ambasadorit të SHBA-së në El Salvador, William Walker, i njohur për kosovarët si udhëheqës i Misionit verifikues të OSBE-së.

Por, edhe më i ashpër ka qenë me deputeten Fitore Pacolli.

Pacollit i është kërkuar edhe një listë e konsujve të nderit, për çka është pajtuar.

Emri i Enrique Rais-it, në gushtin e kaluar, ishte në mesin e 6 personave për të cilët një grup anëtarësh të Kongresit amerikan i kishte kërkuar Administratës Trump heqjen e vizave dhe ngrirjen e aseteve, si të dyshuar për krime dhe korrupsion. 

Derisa mediat në shtetin e tij, raportojnë se për të ka pasur edhe një fletarrest ndërkombëtar.