Arbëri

Pacolli: Kosova do të ruajë integritetin territorial

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës organizon sot Konferencën e Pestë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila i fillon punimet sot në Prishtinë.

Kjo Konferencë do të hapet nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ndërsa do të ketë fjalime nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha se Konferenca e Pestë e Ambasadorëve është ngjarja më e rëndësishme vendore mbi Politikën e Jashtme, përderisa ajo bashkon vendim-marrësit kryesorë të shtetit, Ambasadorët e Republikës së Kosovës, që shërbejnë në shtete të ndryshme, ekspertë dhe analistë vendorë e ndërkombëtarë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Korin Diplomatik ndërkombëtarë të akredituar në Republikën e Kosovës.

“Ne synojmë të krijojmë marrëdhënie të mira me gjithë fqinjët. Serbia po bën pengesa të mëdha në rrafshin ndërkombëtar. Këtu kemi rastin të bashkëbisedojmë me gjithë ambasadorët”, i tha ai sot RTK-së.

Sipas tij përpos ambasadorëve në këtë konferencë janë ftuar miq të Kosovës nga shumë vende të botës. “Do të jetë një rast jashtëzakonisht i mirë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha se ka ardhur koha që Kosova të jetë aty ku e ka vendin.

“Kosova ka shumë sfida para vetes, por do të punojmë që të ia dalim. Ne duhet të ruhemi prej destruktivitetit të Serbisë”, deklaroi ai. Pacolli tha se Serbia po vazhdon propagandën kundër Kosovës

Në këtë konferencë, presidenti Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimin që duhet të mbyllet dialogu me Serbinë dhe të shfrytëzohet momentumi për mbylljen e kapitullit të luftës.

“Duke pasur parasysh momentumin ndërkombëtar që është krijuar, tani është momenti të hapim temën e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Kjo është kërkesë e kamotshme e Luginës së Preshevës. Si president e kam pranuar kërkesën e liderëve të Luginës së Preshevës që ta shtrojë këtë kërkesë në dialogun në Bruksel dhe para bashkësisë ndërkombëtare. Në fund të këtij procesi e shohim Kosovën si shtet të njohur nga Serbia, shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në NATO, në BE”, ka thënë ai.