Raportimet e mediave venezuelase për lidhje të Behgjet Pacollit me biznesmenin e dyshuar për veprimtari kriminale në El Salvador, Enrique Rais, kanë bërë që lideri i AKR-së, të reagojë duke i quajtur ato shpifje.
Media venezuelase, Infobae, ka shkruar më 3 korrik, se është bazuar në raportin e organizatës ndërkombëtare, OCCPR, e profilizuar për raportim rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kjo organizatë, sipas Infobae, përveç lidhjeve me biznesmenin salvadorian, ka shkruar edhe për afërsinë e Pacollit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe ka ngritur dyshime për “fabrikim dokumentesh” në tenderin e fituar nga “Mabetex” për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Por dy ditë pas raportimit, këto pretendime janë demantuar nga Pacolli përmes një postimi në Facebook.
“Po, më duket si në një film kur lexoj artikuj të sponsorizuar nga njerëz të paguar nga ‘nuk e di kush’. Është interesant se si ‘gazetat’ kanë zbuluar që unë kam punuar si drejtor i kompanisë, diku në Amerikën Latine (u largova nga Mabetex në Lugano dhe shkova në Salvador për të punuar për rrogë. Shita ose bleva naftë për rafinerinë më të madhe në botë që ‘ndodhet’ në malet e Marecit ne Kosovë. Zbulim e jo mahi ! … e dikush paska zbuluar skandalin për Aeroportin e Vlorës....!!! Dëgjoni..., e tërë e vërteta është kjo: Nuk ka në Kosovë rafineri, shpifësit do të dalin para drejtësisë. Aeroporti i Vlorës po ndërtohet”, ka shkruar Pacolli në Facebook, në orët e para të së martës.
Biznesmeni Enrique Rais, prej vitit 2017 është në arrati. Që prej ikjes nga El Salvadori, ku është i akuzuar për mashtrim, veprimtarinë e tij e ushtron në Venezuelë.
Në raportin e publikuar nga mediumi venezuelas “Infobae”, Pacolli poashtu përmendet “si i përfshirë në një skandal të pretenduar korrupsioni”, duke iu referuar parregullsive të publikuara nga OCCRP-ja në dhënien e tenderit për ndërtimin e aeroportin e Vlorës në Shqipëri.
“Më 21 qershor 2022, Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) publikoi një raport të gjatë mbi parregullsitë e supozuara në dhënien e ndërtimit të një aeroporti në Shqipëri një kompanie të udhëhequr nga Behgjet Pacolli, një biznesmen dhe politikan kosovar i lidhur me kryeministrin e Shqipërisë dhe, sipas raportit, ‘dyshohet për lidhje me figura të krimit të organizuar’, ndër të cilët OCCRP rendit salvadoranin Enrique Rais”, thuhet në tekstin e “Infobae”.
E në vetë raportin e OCCPR-së për këtë thuhet: “Dokumentet e tenderit që ka parë OCCRP-ja tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (e Shqipërisë v.j.) një vit pas publikimit të kritereve, befas ndryshoi kriteret për kërkesën e saj vetëm katër ditë përpara afatit përfundimtar të pranimit të kërkesave, pra dhjetorit 2020. Ndryshimet reduktuan përvojën e kërkuar dhe ekspertizën teknike të nevojshme, duke i mundësuar konsorciumit turko-kosovar që të kualifikohet dhe të fitojë”. (Lexo raportin e OCCPR-së në anglisht dhe shqip).
Kompania e Pacollit ka fituar tenderin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në marsin e vitit 2021. Pacolli thotë se aty puna po vazhdon.
Qeveria e Shqipërisë nuk ka reaguar në lidhje me raportin e OCCPR-së, deri më tash.
Enrique Reis. Foto: Infobae
Mediumi pretendon edhe për “marrëveshje të tjera të Pacollit me Raisin, në biznese të tjera”.
“Marrëveshjet midis Raisit dhe Pacollit përfshinin gjithashtu biznesin e mbetjeve të ngurta në El Salvador në fillim të dekadës së fundit, të cilin salvadorani e ngriti në bashkëpunim me José Luis Merino , një zyrtar i partisë së majtë në atë kohë në pushtet. Merino, i njohur në politikën e Salvadorit si Comandante Ramiro, po hetohet gjithashtu në Shtetet e Bashkuara për pastrim parash dhe për lidhjen e tij të mundshme me trafikun e armëve për Forcat Revolucionare të Kolumbisë (FARC)”, shkruan mediumi venezuelas.
Pacolli thotë se kjo që thuhet për biznesmenin Rais, nuk është e vërtetë. Ai e përshkruan ndryshe. Madje i jep merita për dy njohje që i kanë ardhur Kosovës vite më parë.
“Enrique Reis nuk është si e përshkruajnë. Ai jeton në Zvicër dhe për herë të parë e kam takuar gjatë vizitës sime në Salvador, kur isha për njohjen e Kosovës me mikun tim, ambasadorin William Walker. Ai është meritor në kontributin që ka dhënë për njohjen e Kosovës nga Salvadori e Hondurasi. Unë u rreshtova kundër regjimit të Maduros (ish-presidenti i Venezuelës), kur isha ministër i Jashtëm”, ka shkruar Pacolli.