Arbëri

Pacientët që subvencionohen për trajtim mjekësor detyrohen të hyjnë në borxh

Fondi i sigurimeve shëndetësore

Sistemi i mbështetjes për pacientët që nuk mund të trajtohen në QKUK nuk po del funksional për shumë qytetarë, të cilëve jeta u varet nga ndërhyrjet urgjente jashtë QKUK-së. Kjo po u shkakton probleme veçanërisht pacientëve që nuk kanë para të mjaftueshme që të bëjnë pagesat para se ta marrin shërbimin. Një pjesë e spitaleve private më nuk po i pranojnë fletëgarancitë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

 Formula përmes së cilës pacientët kosovarë do të subvencionohen në rast që sistemi publik shëndetësor nuk ka mundësi për ta trajtuar, po has vazhdimisht në probleme  në realizim. Një pjesë e madhe e spitaleve private nuk po i pranojnë fletëzotimet e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Fletëgarancitë janë dokumente që lëshohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor e që është garanci e shtetit që do ta marrë përsipër pagesën e faturës, pas përfundimit të trajtimit. Por tashmë këto dokumente janë bërë të pavlefshme për një pjesë të madhe të spitaleve private.

KOHA ka biseduar me disa qytetarë të cilët kanë rrëfyer që janë detyruar që të gjejnë paratë vetë, t’i paguajnë spitalet e më pas paratë u janë kthyer pasi Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ua ka paguar ato.

“E fakti që një pjesë e spitaleve private nuk i pranojnë këto fletëzotime dhe i detyrojnë pacientët që fillimisht t’i paguajnë paratë vetë e pas pagesës nga Fondi ua kompensojnë, drejtpërdrejt ua rrezikon jetën atyre e sidomos pacientëve që nuk kanë mundësi që t’i paguajnë këto para”, ka thënë njëri nga qytetarët që është përballë me këtë problem. 

Burimet e KOHËS në QKUK kanë bërë të ditur që aktualisht një rast i tillë është i hospitalizuar te ta. Sipas tyre, pacienti me diseksion ose çarje të aortës ka nevojë urgjente për ndërhyrje.

Përkundër që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka lëshuar garanci se do ta marrë përgjegjësinë për pagesë, një spital privat në Kosovë, tek i vetmi ku kryhet kjo ndërhyrje nuk e ka pranuar.

Familjes së pacientit po i kërkohet shuma prej 10 mijë euro. Këtë shumë siç kanë thënë burimet nuk e ka kjo familje, andaj pacienti përkundër urgjencës ende nuk është dërguar për trajtim.

KOHA i ka dërguar pyetje këtij spitali privat por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Spitalet private nuk po ua pranojnë fletëzotimet për shkak të borxheve që ua ka Fondi por ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se tashmë e kanë adresuar këtë çështje.

“Përveç që është bërë pagesa e borxheve, është përmirësuar imazhi i Fondit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe i është ofruar mbrojtje financiare shtetasve të republikës së Kosovës nga shpenzimet katastrofike”, ka deklaruar ministri Vitia.

KOHA ka kontaktuar edhe në QKUK-në e edhe me Fondin e Sigurimit Shëndetësor, por deri në publikimin e stories ata nuk kanë kthyer përgjigje.