Me konfirmimin e rasteve të para pozitive me koronavirus në vend, Ministria e Shëndetësisë pati përgjysmuar shërbimet nëpër klinikat e tjera të QKUK-së.
Me përgjysmimin e stafit mjekësor, shumë pacientë që kanë sëmundje të tjera, nuk mund t’i merrnin shërbimet e nevojshme.
Të gjitha resurset humane dhe teknika e QKUK-së dhe spitaleve rajonale tashmë janë koncentruar në menaxhimin e situatës së krijuar me pandemi dhe po trajtohen vetëm rastet urgjente.
Për këtë nga shoqata e pacientëve i kanë rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë themelimin e shërbimit profesional për sëmundje infektive.
Ky shërbim, për detyrë do të kishte ekskluzivisht trajtimin e personave me koronavirus. E me themelimin e të njëjtit edhe pacientët me sëmundje të tjera do të mund të marrin shërbimet e duhura.
Por pacientët që arrijnë të marrin shërbime në QKUK, ballafaqohen me të tjera çështje, sikurse mungesa e barnave.
Kajtaz Hasani, para dy vjetëve, e kishte operuar të birin nga kanceri, por për vetëm dy ditë trajtimi ai detyrohet të blejë barna në vlerë prej 120 eurosh.
Megjithëkëtë, SHSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje të detajuar për këto çështje, por vetëm ka pranuar që të gjitha klinikat janë duke punuar me staf dhe orar të përgjysmuar.