Arbëri

Pacientët pritën afro tri javë për trajtim me kimioterapi, shkaku i mungesës së “Avastinit”

Pacientë të sëmurë me kancer janë detyruar që të shtyjnë për afro tri javë terapinë me kimioterapi, si pasojë e mungesës së citostatikut të nevojshëm “Avastin”. Teksa nuk i sqaruan arsyet e vonesës së furnizimit me këtë bar, në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar thanë se ilaçi është siguruar gjatë ditës

Për afro tri javë pacientë të Klinikës së Onkologjisë nuk kanë mundur t’i nënshtrohen kimioterapisë, shkaku i mungesës së “Avastinit”, që përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit. 

Familjarë të pacientëve, që folën nën kushtin e anonimitetit, i thanë KOHËS se në mungesë të kësaj terapie, që njihet ndryshe “Bevacuzimab”, iu është pamundësuar marrja e pjesës tjetër të kimioterapisë.

“Avastina është një lloj infuzioni që iu jepet kur marrin kimioterapi. Rreth tri javë ditë është mungesë dhe një familjar i imi që është me kancer e merr këtë terapi, nuk po mundet me marrë as pjesën tjetër”, ka thënë një familjar. 

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar thanë se furnizimi me këtë produkt nisi të mërkurën.

“Barnatorja Qendrore gjatë ditës së sotme është furnizuar me produktin Bevacuzimab, dhe menjëherë është dërguar në Barnatoren e Klinikës së Onkologjisë”, kanë thënë në përgjigjet e Barnatores Qendrore. 

Për sigurimin e 845 copë “Bevacizumab” origjinator e 1 mijë e 100 copë biosimilare, SHSKUK-ja kontraktoi dy operatorë ekonomikë në shkurt dhe në mars. 

Ani se ka kontratë të vlefshme për një vit, në SHSKUK nuk u dhanë sqarim pyetjeve të KOHËS rreth arsyes së vonesës në furnizim me terapinë. 

E pacientët u ankuan se furnizimi ka qenë i paqëndrueshëm edhe më herët. 

“Ka pasur edhe më herët mungesa, por kësaj here goxha shumë. Çmimi i saj në treg, edhe pse problem me e gjet, kushton rreth 1300-1500 euro. Jo nuk kanë dhanë asnjë sqarim, veç mungon, mungon”, ka thënë familjari. 

Për prononcim rreth rëndësisë së terapisë nuk ka qenë i qasshëm drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi. 

KOHA ka raportuar një muaj më parë se Klinika e Onkologjisë është përballur edhe me mungesën e një pjese të imunoterapisë së nevojshme për trajtimin e kancerëve.