Arbëri

Pacientët paguajnë mijëra euro në privat për shërbimin që duhej ta kryente Urologjia

qkuk

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Gjendje e rëndë është në Klinikën e Urologjisë në QKUK. Një dhomë është mbyllur plotësisht, për shkak që dyshemeja është e dëmtuar e konsiderohet e rrezikshme për qëndrim të pacientëve. Ndërkaq një aparaturë për thyerje të gurëve ndodhet jashtë funksionit, e në mungesë të saj pacientët paguajnë mijëra euro në spitale private

Klinikës së Urologjisë të Qendrën Klinike Universitare (QKUK) i ka mbetur jashtë funksionit një nga aparaturat kryesore që ka në përdorim.

“URS L” është aparaturë për thyerje të gurëve në veshka, e burime të KOHËS kanë thënë se prej javës së kaluar nuk punon dhe shumë pacientëve u janë anuluar terminët. Ajo nuk ka punuar për një kohë edhe gjatë muajit gusht.

Për prishjen e aparaturës së njëjtë, KOHA i kishte dërguar pyetje QKUK-së edhe më 4 gusht të këtij viti, por menaxhmenti nuk është përgjigjur. Burimet kanë thënë që sërish aparatura e njëjtë është prishur, e këtë shërbim pacientët tani duhet ta marrin në sektorin privat.

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) nuk kanë treguar datën e saktë kur aparatura do të rikthehet në funksion.

“Aparatura për të cilën keni parashtruar pyetjet, për shkak të mbingarkesës, ka ndodhur një defekt dhe është jashtë funksionit. SHSKUK-ja në bashkëpunim me Klinikën e Urologjisë dhe spitalet e përgjithshme, do të bëjë një zgjidhje, deri në blerje, apo servisim të aparaturës”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Drejtorit të SHSKUK-së.

Nëpërmjet aparatit “URS litotrips” kryhen intervenime endourologjike, me anestezion spinal ose të përgjithshëm. Kjo konsiderohet metodë moderne e pa komplikime.

Me këtë metodë, intervenimi realizohet në disa spitale private, për një çmim nga 1500 deri në 2000 euro.

Përveç problemit me aparaturën, në Klinikën e Urologjisë është e mbyllur plotësisht një dhomë e pacientëve, duke bërë që të ngarkohen dhomat e tjera. Ka ndodhur kështu, meqë dyshemeja është e dëmtuar, e sipas burimeve, Inspektorati nuk e ka konsideruar higjienike për shfrytëzim.

SHSKUK-ja nuk ka dhënë informacione as për këtë, përpos zotimit se do të rinovohet e gjithë klinika.

“4 klinika do të përfitojnë nga projekti në bashkëpunim me MSH-në, për rinovim, mes tyre janë edhe Klinika e Urologjisë, ajo e Gjinekologjisë, Kardiokirurgjisë dhe Onkologjisë”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për Informim të SHSKUK-së.

Urologjia ka problem edhe me shërbimin e laparoskopisë. Muaj më parë KOHA ka raportuar se përkundër që në mars SHSKUK-ja ka njoftuar për nisjen e ofrimit të këtij shërbimi, prej asaj kohe mjekë të QKUK-së kanë kryer vetëm katër intervenime të tilla, e asnjëherë pa mbikëqyrjen e stafit mjekësor nga spitale të shteteve të tjera.