Arbëri

Pacientët nga Shqipëria i kërkojnë shtetit t’u ofrojë shërbime pa pagesë edhe kosovarëve

Pacientë nga Shqipëria, që prej vitesh e marrin pa pagesë shërbimin e hemodializës në Spitalin e Prizrenit dhe atë të Gjakovës, e kualifikojnë si diskriminues aplikimin e pagesës së këtij shërbimi për trajtimin e pacientëve kosovarë në Shqipëri. KOHA pati raportuar javë më parë se si në Shqipëri për një seancë të hemodializës pacientëve nga Kosova u kërkohet pagesë deri në 150 euro. E pacientët kërkuan që dy shtetet të arrijnë ujdi, ashtu që trajtimi të zbatohet reciprokisht dhe pa dallime

Që prej 11 vjetësh, sa është në dializë, Borbardha Bishaj nga Shqipëria u nënshtrohet tri seancave javore të trajtimit për filtrimin e gjakut në Kosovë, pa u detyruar që për këtë të paguajë.

Krahas saj, edhe 15 pacientë të tjerë, kryesisht nga Kukësi, e marrin shërbimin e dializës çdo të mërkurë në Spitalin e Prizrenit.

Por ndryshe nga Kosova, ky trajtim shtetasve të saj nuk u ofrohet pa pagesë edhe në Shqipëri. E që kjo rrethanë të ndryshojë, Bishaj thërret autoritetet të gjejnë një zgjidhje.

“Unë si person jam shumë e kënaqur dhe shumë e lumtur që jam këtu. Nuk e ndiej që jam e huaj... Duhet me u marrë vesh ndërmjet veti, shteti me shtet”, ka thënë Bishaj.

Edhe pacientë të tjerë e quajnë të padrejtë e diskriminues detyrimin që u bëhet shtetasve të Kosovës për pagesë në spitalet e Shqipërisë.

“Fajet i ka shteti. Shteti ynë..... Shteti ynë duhet t’i pranojë pacientët e Kosovës kur vijnë për dializë, p.sh. në Durrës dhe Lezhë se këto të dyja janë qytete që frekuentohen. Shteti duhet të jetë më i rregullt. Shteti ynë. E padrejtë, diskriminuese është. Njësoj jemi, si ne, si ju. E padrejtë, shumë e padrejtë”, ka thënë një pacient nga Kukësi, që vazhdimisht merr shërbime në Prizren.

E pacientja Nafije Cena uron që trajtimi në Kosovë të mos i ndërpritet, si pasojë e mosveprimit reciprok nga shteti i saj.

“Unë qe 8 vjet e bëj dializën këtu dhe i kam pre marrëdhëniet më se si funksionon. Por si veprim nuk m’u ka dukur i drejtë, në qoftë se një pacient në dializë ka shkuar dhe nuk i kanë bërë dializë. Më është dukur shumë veprim i shëmtuar. Por ne trajtohemi shumë mirë”, ka thënë ajo.

Por Rexhep Hapçiu, shefi i Repartit të Dializës, thotë se në Spitalin e Prizrenit shërbimi u ofrohet të gjithë pacientëve, pa dallim.

“Diku prej vitit 2004 dializohen pacientët e Kukësit, ku i kryejnë seancat e dializës. D.m.th. i kryejnë shërbimet si me qenë bashkëkombësit tanë, d.m.th. si Kosova. I kanë shërbimet e njëjta”, ka deklaruar ai.

Pos në Spitalin e Prizrenit ky trajtim shtetasve të Shqipërisë u ofrohet falas edhe në Spitalin e Gjakovës.

E ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite vitin e shkuar në Kosovë, zgjidhjen e çështjes e pati kualifikuar si një prej objektivave të dy Qeverive.

“Jemi duke parë dhe vlerësuar pikërisht atë që ju përmendët, pra, për të kuptuar se cila është kërkesa dhe se si mund të adresohet kjo kërkesë. Jemi në pritje edhe nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe besoj në këto diskutime dhe në të gjithë marrëdhënien që ne e kemi për të bërë një plan të qartë, të saktë, një analizë konkrete dhe patjetër edhe për të pasur edhe një adresim të këtij shqetësimi që ju përcollët, por që për ne pa dyshim është një objektivë për punën tonë në të ardhmen”, pati thënë ajo.

Javë më parë KOHA raportoi se autoritetet në Shqipëri nuk treguan mirëkuptim për t’u bërë zgjidhje shtetasve të Kosovës që vuajnë nga sëmundja e veshkave, e që për një seancë me dializë aty detyrohen të paguajnë deri në 150 euro. Kjo tarifë po u pamundëson shumë pacientëve që t’ia mësyjnë Shqipërisë për pushime gjatë verës.

“Gjatë verës kam nevojë për të shkuar në deti, me u fresku pak dhe me ndërru ambientin, mirëpo dy herë kam qenë. Herën e parë nuk kam bërë dializë, sepse ishte bukur shtrenjtë. Kurse herën e dytën m’i kërkuan 150 euro veç një herë në ditë për dializë.... Ne kur po shkojmë atje nuk jemi në gjendje të paguajmë 150 euro e mandej duhet me ndërpre pushimin në gjysmë dhe me ardhë me zënë dializën prapë këtu”, ka thënë Muhamet Zogu, pacient kosovar në dializë.

Nefrologia Miloreta Tolaj ka treguar se me këtë problem përballen rreth 240 pacientët kosovarë që e marrin falas shërbimin e dializës në spitalet e Kosovës.

“Gjatë kohës kur kanë pushime obligohen të shkojnë ose edhe t’i shkurtojnë pushimet e tyre për shkak të çmimit që duhet të paguajnë për seancën e dializës në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht se kanë pasur edhe më herët ankesa, kanë pritë se mos ka ndonjë marrëveshje mes dy vendeve”, ka thënë Tolaj.

Kosova e Shqipëria kanë firmosur disa marrëveshje në fushën e shëndetësisë, por jo edhe për shërbime falas të pacientëve në dializë.