Arbëri

Pacientët e shtrirë në Mjekësinë Sportive barten në Mjekimin Intensiv

17 pacientët që ishin me respiratorë në mjekësinë sportive, trajtimin do ta vazhdojnë në mjekimin intensiv qendror.

Objekti i Mjekësisë Sportive deri më tani për shfrytëzim e ka pasur vetëm katin e parë. 

Familjarët e pacientëve, ndonëse nuk kanë dashur të prononcohen, thonë se kanë frikë për shëndetin e familjarëve të tyre, pasi që gjendjen e kanë shumë të rëndë.

Hapësira në mjekimin intensiv qendror ka kapacitet prej 27 shtretër dhe drejtues të SHSKUK-së thonë se trajtimi i pacientëve aty do të jetë shumë më i lehtë.

“Me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve me shtretër dhe respiratorë te mjekësia sportive, konform vendimit të Qeverisë së Kosovës së datës 5 korrik 2020, i cili parasheh riorganizim të përgjithshëm, Komiteti për menaxhim të situatës me COVID-19, në nivel të ShSKUK-së, ka vendosur që pacientët që janë në njësinë intensive të mjekësisë sportive të dërgohen në mjekimin intensiv qendror”, ka thënë zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.

Në njoftim, shtohet se pacientët që nuk janë të prekur me Covid-19, e që kanë qenë të shtrirë në mjekim intensiv qendror do të barten në ish-mjekimin e vjetër intensiv, ku deri tani ka qenë njësia koronare.