Momentum i përshtatshëm për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë po shihet fakti se Rusia më nuk është një lojtar relevant ndërkombëtar, pas agresionit mbi Ukrainën. Njohës të rrethanave kanë thënë se Kosova duhet të jetë më aktive dhe ta shfrytëzojë gatishmërinë amerikane, e cila është konfirmuar me vizitën e fundit të zyrtarëve të lartë - Donfried dhe Escobar- për të shkuar drejt marrëveshjes
Përjashtimi i Rusisë si aktor relevant ndërkombëtar pas agresionit mbi Ukrainën po konsiderohet momentum i favorshëm për arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.
Rindezje të motorëve kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zyrtarë të lartë të së cilës kanë vizituar Kosovën.
Drilon Gashi, analist politik që vepron në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë gatishmërinë amerikane që tani është më aktive në rajon.
“Është shumë pozitiv ky angazhim qoftë i Kongresit apo tash i administratës amerikane me vizitën e fundit të zyrtares Donfried. Besoj që edhe fakti se kanë mbaruar zgjedhjet në Serbi dhe në Kosovë e kemi një koalicion të shëndoshë bën që të ketë një gatishmëri mbase nga dy qeveritë që të ecet përpara. Mirëpo besoj që kjo do të kërkojë një angazhim shtesë nga Kosova, mbase një përshtatje të qasjes së saj karshi dialogut”, ka theksuar Gashi. “Gjëja që ka ndryshuar tashmë në dialog është jo vetëm përfshirja më e madhe amerikane, sidomos me Escobarin, por ka ndryshuar fakti se Rusia më nuk është lojtar. Më herët ka pasur një hezitim për angazhim më të madh amerikan për shkak se Rusia do të futej në proces. Por me veprimet që po bën në Ukrainë, në njëfarë forme më nuk është palë që do të përfshihet në këtë proces apo do të konsultohet. Kështu që Amerika do të mund të merrte një rol më udhëheqës në mbështetje të BE-së dhe me të vërtetë të punohet për një marrëveshje dypalëshe”.
Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ndihmëssekretarja për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, kanë takuar të hënën presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Kërkesë e tyre ishte një riangazhim urgjent në dialogun me Serbinë.
“Status quo-ja” në dobi të Kremlinit
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shpërndarë të martën deklaratën e Donfriedit, e cila ka thënë se “status quo-ja” në dialog i shkon përshtati vetëm Rusisë.
“Status quo-ja është e paqëndrueshme; jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por është në dobi të Kremlinit. Rusia dëshiron të prishë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që ju dhe fqinjët tuaj nuk mund të integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ajo beson se një rajon ballkanik më i fortë, më i begatë dhe prosperitet e demokratik është një kërcënim për ndikimin e tij. Marrëdhëniet më të mira mes Kosovës dhe Serbisë kërcënojnë aftësinë e Rusisë për të përçarë, krijuar frikë dhe për të nxitur kaos. Mënyra më e mirë për të kundërshtuar përpjekjet flagrante të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjeshtë: Kosova dhe Serbia duhet të bashkohen dhe të riangazhohen urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së”, citon Ambasada Amerikane deklaratën e Donfriedit.
Analisti Gashi ka thënë se duhet që të synohet një marrëveshje që në qendër ka njohjen e ndërsjellë, brenda së cilës do të mund të përfshiheshin edhe çështjet nga dialogu i kaluar.
“Besoj se ekziston momentumi që të zgjidhet kjo çështje, që me anë të një marrëveshjeje dhe me anë të një lobimi më të madh të ndodhë njohja e plotë nga BE-ja, anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës dhe kështu Ballkani të mos jetë më vend ku ka mospajtime. Ne e dimë se këto refuzime kanë ardhur nga Serbia për Kosovën, por duhet të shfrytëzohet investimi dhe dëshira amerikane që Serbinë ta mbajnë afër dhe jo që ajo të shkojë drejt Rusisë për ta bindur dhe të pajtohet për një marrëveshje të tillë sa më parë”, ka potencuar Gashi.
Sipas tij, është e pritshme që SHBA-ja të marrë një rol më udhëheqës në mbështetje të BE-së për një marrëveshje dypalëshe.
“Sepse palët janë larg aktualisht, pasi po shohim se as në marrëveshjen për targat nuk po ka pajtim. Por që duhet të bëhen disa gjëra. Nga ana e Kosovës duhet të ketë më shumë gatishmëri për dialogun, kurse nga ana e Serbisë duhet të pranohet që për shembull targat të jenë targa, që të mos ketë më ambiguitet kreativ apo formula të ndryshme për gjëra që duhet të jenë fare të thjeshta mes dy shteteve”, është shprehur Gashi.
Vuçiqi përsërit kërkesën për themelimin e Asociacionit
Kosovës, delegacioni amerikan të martën ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministren Ana Bërnabiq.
Vuçiqi u është ankuar atyre se pala kosovare po u shmanget obligimeve që dalin nga dialogu i Brukselit.
“Pala jonë i ka përmbushur obligimet e veta, ndërsa Prishtina me këmbëngulje i shmanget zbatimit të obligimeve të veta. Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit dhe Planit të Zbatimit, themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe nuk ka nisur”, kanë cituar Vuçiqin mediat serbe. Ai ka shtuar se dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme nga të dyja palët.
Tema të diskutimit, sipas presidentit serb, ishin edhe qëndrimi i Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, si dhe nisma për “Ballkanin e hapur”.
“Presidenti veçanërisht vuri në dukje nismën ‘Ballkani i hapur’ si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal dhe luftës për qëllime të përbashkëta, duke theksuar se është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në BE, por edhe një mundësi për të arritur standardet evropiane”, citohet të ketë thënë Vuçiqi.
Ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Aziatike ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Sipas komunikatës së presidencës serbe, diplomatja amerikane ka mbështetur nismën, së cilës Kosova nuk ka pranuar që t’i bashkëngjitet.
Për takimin, Ambasada e SHBA-së në Beograd ka komentuar në Twitter, duke theksuar se partneriteti me Serbinë është shumë i rëndësishëm.
“Ardhja e Karen Donfriedit, ndihmëssekretare amerikane e Shtetit, është një tjetër konfirmim i dëshirës për të ndërtuar lidhje më të forta ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Ambasada Amerikane në postim.
Derisa vazhdon shterpësia në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, janë shpeshtuar akuzat e ndërsjella midis zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë. Pasi Kurti e cilësoi Vuçiqin si “Putini i vogël i Ballkanit”, zyrtarët serbë u kundërpërgjigjën duke thënë se Kurti, i cili sillet sikurse “Hitler i vogël në Ballkan”, nuk është i interesuar për dialog.