Arbëri

Pa rezultate, puna e komisioneve hetimore parlamentare

Gjithsej 15 komisione hetimore janë themeluar prej paslufte e gjashtë nga të cilat vetëm në legjislaturën aktuale. Monitorues të punës së Kuvendit vlerësuan se me to është zhvlerësuar rëndësia e hetimit parlamentar, meqë komisionet nuk kanë prodhuar rezultate

Të gjashtë komisionet hetimore parlamentare të kësaj legjislature nuk kanë sjellë kurrfarë rezultatesh, kanë vlerësuar monitorues të punës së Kuvendit.

Prej konstituimit të legjislaturës, e cila ndodhet në vitin e fundit të mandatit, Kuvendi themeloi pesë komisione hetimore me kërkesë të opozitës e një me kërkesë të pushtetit.

Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se deputetët ia humbën rëndësinë hetimit parlamentar duke e përdorur atë vetëm për interesa politike.

“Për shkak të numrit të lartë të komisioneve të themeluara, kryesisht me pretendime jo fort të konsoliduara politike, edhe institucioni i Komisionit hetimor parlamentar që është mjaft serioz në demokracitë e zhvilluara, është zhvlerësuar dhe është shndërruar në njëlloj platforme për shprehje të mendimeve politike dhe hapësirë ku janë bartur këta antagonizma parlamentarë”, ka thënë Thaçi.

Edhe Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se disa nga çështjet që Kuvendi ka ngritur komisione hetimore kanë mundur të trajtoheshin me mjete të tjera parlamentare.

“Gjysma e çështjeve që janë ngritur janë për komisione hetimore. Një pjesë e komisioneve hetimore janë në kundërshtim edhe me Kushtetutën dhe me Ligjin për hetim parlamentar dhe me vetë çështjet që janë ngritur. Ndërkohë disa çështje që janë ngritur për komisione hetimore janë çështje që mund të adresohen edhe me pyetje parlamentare, edhe me debate parlamentare, edhe me interpelanca”, ka thënë Jakaj.

Katër nga këto gjashtë komisione të themeluara e kanë përfunduar mandatin ligjor prej gjashtë muajsh. Për mungesën e rezultateve të tyre Jakaj përgjegjës e bën edhe pushtetin.

“Shumica parlamentare në Kosove në disa raste është treguar arrogante, ka bojkotuar mbledhjet dhe kur ka marrë pjesë në disa raste ka qenë me shumë destruktive. Çka kanë sjellë këto sjellje deri më tani, ka qenë paralizimi i procesit hetimor duke bërë që komisionet të mos arrijnë në rezultate ose të dështojnë në përmbushjen e detyrave të tyre. Më tutje është përkeqësuar situata politike. Sjelljet që kanë karakterizuar mbledhjet e deritanishme kanë përkeqësuar tensionet politike dhe kanë ndikuar negativisht në klimën e bashkëpunimit dhe dialogut në Kuvend”, ka theksuar ai.

Katër nga këto gjashtë komisione të themeluara e kanë përfunduar mandatin ligjor e dy tjera janë ende në proces hetimi, si ai për tekstet shkollore dhe Komisioni për hetimin e nivelit të menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve në Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Komisioni për diplomatët, ndonëse është themeluar në mars, ende është në proces të hartimit të listës së dëshmitarëve për intervistim, për të cilën gjë vetëm në korrik ka thirrur 4 mbledhje.

Thaçi thotë se përveç mungesës së rezultateve, themelimi i këtyre komisioneve i ka shkaktuar Kuvendit edhe dëme të tjera.

“Pa dyshim se pjesë vitale e pjesës hetimore të këtyre trupave është angazhimi i ekspertëve të ndryshëm, përveçse pagesat për kontributin e deputetëve në komisione,  domethënë pjesëmarrjen e tyre, në këtë kuptim nga pikëpamja financiare Kuvendi është shpenzuar ndërsa në kuptim të rezultatit prej këtyre trupave nuk është se ka marrë asnjë prej gjetjeve le të themi që e ndihmojnë punën parlamentare apo pretendimet e opozitës”, ka thënë ai.

Pos këtyre gjashtë komisioneve, Kuvendi i ka në procedurë themelimi edhe tri të tjera: Atë për kontratat njëburimore; Komisionin për procesin e përllogaritjes dhe shlyerjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit; si dhe Komisionin mbi përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit. Por, Ligji për hetim parlamentar thotë se Komisioni nuk mund të themelohet gjatë gjashtë muajve të fundit të një mandati të Kuvendit.

Në 20 vjetët e legjislaturave të kaluara janë themeluar nëntë komisione hetimore, tri më shumë sesa u themeluan për tre vjet e gjysmë të legjislaturës aktuale.