Arbëri

Pa president për një votë

Dy herë ka pasur tentativë të shtunën që Kosova të bëhej me president. Kuvendit iu prezantuan dy kandidatura për president, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Në herën e parë votuan 78 deputetë. Pas një procesi të shkurtër u vendos për përsëritje të këtij rundi. Në përsëritje morën pjesë 79 deputetë. Të dielën është tentimi i radhës në pritje të një vote vendimtare

Mungesa e një vote në procesin e zgjedhjes së presidentit ka shkaktuar dramën e radhës. Saktësisht 79 deputetë votuan në rundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, edhe pse në sallë ishin 82 deputetë të pranishëm. Duke mos u përmbushur kushti që për zgjedhjen e presidentit të votojnë të paktën 80 deputetë, Kuvendi ka shtyrë procesin. Ka njoftuar seancë për të dielën.

Dy herë ka pasur tentativë të shtunën që Kosova të bëhej me president. Kuvendit iu prezantuan dy kandidatura për president, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Në herën e parë votuan 78 deputetë. Pas një procesi të shkurtër, u vendos për përsëritje të këtij rundi. Në përsëritje morën pjesë 79 deputetë. Ishte deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi e LDK-së që nuk kishte marrë pjesë në votim në rundin e parë, e që votoi në përsëritje. Në pamundësi që të sigurohet vota e 80-të për të përmbushur kuorumin, kryeparlamentari Glauk Konjufca në mbrëmje vonë, pas një pauze të gjatë, njoftoi deputetët se seanca është ndërprerë dhe do të vazhdojë të dielën prej orës 17:00.

Në asnjërin nga tentimet, Lëvizja Vetëvendosje dhe lista “Guxo” nuk arritën të marrin ndonjërën nga votat e tre deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk iu përmbajtën zotimit të Kryesisë së partisë se do t’ia mundësojnë kuorumin për presidente ish-nënkryetares së kësaj partie. Deputetët Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj nuk u ngritën fare në këmbë për të votuar në dy proceset e votimit. Për dallim nga ta, në votim morën pjesë 12 deputetëte tjerë të Grupit Parlamentar të LDK-së.

Pos 12 votave nga LDK-ja, për presidentin e ri votuan edhe tetë deputetë nga minoritetet joserbe, derisa munguan dy deputetët e tjerë, Adem Hoxha i JGP-së nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga Iniciativa Rome, e cila e ka një zëvendësministër në Qeverinë Kurti.

Për ta afruar te 80-shi votoi Albena Reshitaj, si deputetja e vetme e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo u konsiderua befasia e ditës. Pas seancës, Reshitaj u shpreh se “nuk ka mundur të lejojë që e ardhmja e funksionalizimit të institucioneve të varet nga Lista Serbe”. Reshitaj me këtë vendim doli kundër qëndrimit të partisë. AAK-ja kishte bërë të ditur tashmë se s’do të merrte pjesë në seancën për votimin e presidentit.

Vetëm 20 minuta para se të niste seanca, kryetari i saj, Ramush Haradinaj, u shpreh se kjo parti është kundër që pushteti të koncentrohet te një person apo parti politike.

Më i ashpër ndaj pushtetit dhe kryeministrit Albin Kurti është shprehur ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj. Për dallim nga Haradinaj, Hoxhaj mori pjesë në fillim të seancës bashkë me nënkryetarin e Kuvendit nga PDK-ja, Bedri Hamza. Hoxhaj ishte i vetmi që mbajti fjalim para nisjes së procesit të votimit. Duke iu drejtuar nga foltorja, Hoxhaj i ka thënë Kurtit se dëshiron ta zgjedhë Osmanin presidente “në mënyrë që të kontrollojë gjithçka”. Pas fjalimit, bashkë me Hamzën e lëshuan sallën.

Në sallë s’ka qenë i pranishëm asnjë deputet i Listës Serbe.

Tërheqja e LVV-së për t’i hapur rrugë votimit

Sikur seanca, edhe rruga deri te mbajtja e saj u përcoll me paqartësi. Pas shumë përplasjeve e ultimatumeve, Vetëvendosje pak para seancës iu bind LDK-së për herë të dytë për tërheqjen nga propozimet për ndryshime në Ligjin për zgjedhje.

Pas seancës të së premtes në të cilën dështoi përpjekja e VV-së për ndryshim të shpejtë të këtij ligji, LDK-ja doli me ultimatum për këtë parti që të tërheqë propozimet. Në të kundërtën, nuk do të merrte pjesë në votimin për president.

Të shtunën në mëngjes, ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca – pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani – bëri të ditur se janë dakorduar që të mos merret asnjë vendim lidhur me nismën e VV-së pa konsultuar me opozitën. Kjo u pa si tërheqja e parë e VV-së.

Me t’u publikuar një deklaratë e tillë u ftua edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, në mesditë, për të caktuar orën e mbajtjes së seancës për presidentin. Kërkesa ishte që kjo seancë të mbahej prej orës 18:00, ani pse nisi me të paktën një orë e gjysmë vonesë.

Por nga aty doli një tjetër përplasje mes VV-së e LDK-së. Deklarimi i Konjufcës nuk i mjaftoi LDK-së për t’u bindur që VV-ja e ka me njëmend tërheqjen nga ligji. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, duke lënë në gjysmë mbledhjen e Kryesisë, kërkoi nga VV-ja tërheqjen e ligjit në mënyrë procedurale për të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit. Gashi gjatë mbledhjes u përball me një kërkesë shtesë të shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila. I lypi garanci LDK-së që nëse propozimet e VV-së tërhiqen siç i ka kërkuar, të gjithë 15 deputetët e saj do të votojnë për presidentin.

Pavarësisht se VV-ja nuk mori një garanci të tillë, kjo parti vendosi që më vonë t’i bindet kërkesës së LDK-së. U dorëzua përfundimisht nga iniciativa për ndryshimet në ligj duke e tërhequr nga të gjitha shqyrtimet në Kuvend.

E pas takimit të Kryesisë së Kuvendit, duke mos u marrë me ultimatumet dhe kërkesat e partive të tjera, PDK-ja, nëpërmjet shefit të Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, kërkoi që të propozohen kandidatë të tjerë për president. Barrën e plotë për çuarjen potenciale të vendit në zgjedhje ia barti kryeministrit.

Menjëherë pas mbajtjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeministri Albin Kurti ia njohu fitoren opozitës për të premten mbrëma, pasi u pamundësua procedimi i shpejtë i ndryshimeve në ligj. Por ka thënë se duhet një tjetër fitore. U zotua për bashkëpunim me opozitën për reformën zgjedhore, pas zgjedhjes së presidentit.

“Zgjedhja e presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë”, ka thënë ai të shtunën.

Shpërfillja e shoqërisë civile dhe ambasadorëve

Të shumta kanë qenë thirrjet edhe në shoqërinë civile dhe të ambasadorëve të shteteve të mëdha në Kosovë për të shmangur zgjedhjet e reja. Megjithatë, thirrjet e tyre që deputetët të marrin pjesë në votim nuk u përfillën.

I pari që reagoi para seancës ishte ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott. Teksa kërkoi që deputetët të marrin përgjegjësinë që u takon dhe të mos lejojnë dërgimin e vendit në zgjedhje, Abbotti ua kujtoi atyre që “të mbrosh demokracinë dhe institucionet nënkupton edhe të marrësh pjesë në zgjedhjen e presidentit”.

Thirrjen e njëjtë e kanë bërë edhe ambasadorët e tjerë të shteteve të QUINT-it. Teksa ShBA-ja kërkoi nga deputetët që të marrin pjesë në votim, Franca ka theksuar nevojën e Kosovës për institucione funksionale e të qëndrueshme. Më i drejtpërdrejtë ka qenë ambasadori italian, Nicola Orlando. Ai ka thënë se “bojkotimi i kësaj procedure nuk i sjell dobi askujt”.

Votimin për president, deputetëve ua kanë kërkuar edhe analistë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Instituti Demokratik i Kosovës e cilësoi si zhvillim të paprecedent përsëritjen e dyfishtë të rundit të parë të votimit. Sipas kësaj organizate, kjo shpërfaq mungesën e seriozitetit të subjekteve politike në formimin e institucioneve.

“Kërkojmë nga subjektet politike që të përfshihen në konsultat e nevojshme, në funksion të arritjes së konsensusit për përmbylljen e kësaj procedure. Në një situatë të tillë pandemike, me probleme të shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët, zgjedhjet nuk duhet të shihen si opsion nga asnjë prej subjekteve politike”, thuhet në thirrjen e KDI-së.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë thirrje për institucione stabile. Ai u shpreh se “ky shtet ka nevojë me iu kthy normalitetit, e ky vend ka nevojë që qytetari me qenë në qendër të vëmendjes dhe jo politikani”.

Kërkesë “skizofrene” e ka konsideruar analisti Agron Demi atë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që “Qeveria t’i përvishet punës”, ndërsa në anën tjetër e bojkotojnë seancën për votimin e presidentes, me ç’rast e çojnë vendin në zgjedhje.

Vota enigmë ose zgjedhje të reja

Lëvizjes Vetëvendosje tash i duhet të sigurojë të paktën edhe një votë në mënyrë që të mos detyrohet të kërkojë sërish besimin e qytetarëve, ashtu sikurse edhe partitë e tjera në mes të pandemisë.

Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit në dy tentativa, Kusari-Lila nga VV-ja kritikoi LDK-në që s’votoi siç kishte deklaruar. Ndërkaq ajo u shpreh se s’kanë marrë përgjigje definitive për mospjesëmarrjen e deputetëve joshumicë me të cilët kanë pasur bashkëpunim. Ka thënë se “vërehet një ndikim nga grupe jashtë që e duan Kosovën jostabile”.

Në anën tjetër, reagim jo i zakontë ka ardhur nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili deri në momentet e fundit kishte thënë se kjo parti do të votojë për presidentin e ri.

“S’ka shpëtim, veç vonim”, ka shkruar ai në Facebook, pasi Kuvendi ndërpreu seancën.

Shpresë tjetër për votën pro presidentit mbetet vetëm ajo e njërit nga deputetët rezistues në LDK, apo edhe ndonjë votë nga dy partitë e tjera parlamentare shqiptare. Vetëvendosje nuk ka dhënë sqarime se si do të veprojë në rast se edhe të dielën nuk sigurohen 80 votat e kuorumit.

Megjithatë, sipas njohësit të çështjeve juridike, Vigan Qorrolli, pa u bërë 80 vota në kuti të votimit, Kosova e ka të pamundur të shterojë rundin e parë të votimit. Kjo, sipas tij, mund të përsëritet deri më datën 5 maj, kur është data e fundit e zgjedhjes së presidentit të Republikës.

Kushtetuta e Kosovës kërkon që në dy rundet e para për votimin e presidentit të jenë jo më pak se 80 vota në kuti e të paktën po aq pro një kandidati. Nëse në dy rundet e para nuk arrihet kjo, organizohet votimi i tretë në mes të kandidatëve, dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 vota) zgjidhet president. Kosova është pa president prej nëntorit të vitit të kaluar.

Dështimi edhe në rundin e tretë e çon vendin në zgjedhje të reja.