Deputetë të opozitës kanë bojkotuar aktivitetin e parë të sesionit vjeshtor që lidhet me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjatë diskutimit publik të këtij dokumenti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje për mungesën e opozitës. E, përfaqësues të shoqërisë civile kanë dhënë kritika për përmbajtjen e dokumentit
Pa praninë e deputetëve të opozitës është mbajtur të premten dëgjimi publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është organizuar nga Komisioni për Legjislacion.
Përveçqë nuk kanë marrë pjesë në diskutim, ata nuk kanë dërguar as amendamente për këtë projektligj.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me të Kosova për herë të parë po e bën konceptin e konfiskimit civil. Ajo ka shprehur keqardhje për mungesën e opozitës në këtë diskutim.
“Kam qenë deputete për më shumë se dhjetë vjet, por kur kemi pasur kritika, ato i kemi përcjellë me amendamente për projektligje të ndryshme. Prandaj, nëse ka mendime ndryshe për këtë projektligj është dashur që ose të marrin pjesë në dëgjimet publike dhe jo t’i bojkotojnë ato, ose që të bëjnë amendamentet”, është shprehur Haxhiu.
Ajo ka thënë se kanë synim që të bëjnë një projektligj të mirë dhe të zbatueshëm.
“Asnjëherë dhe në asnjë takim në asnjë formë tjetër nuk ka qenë qëllimi të shkelen të drejtat e qytetarëve apo çfarëdo forme tjetër e abuzimit me këtë institucion të ri që do të krijohet. Pra, ideja është që ta bëjmë një projektligj të mirë, i cili do të jetë i zbatueshëm dhe jo që pastaj të keqpërdoret në një formë apo tjetër”, ka theksuar Haxhiu.
Kritika për Projektligjin ka pasur hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala. Sipas tij, do të ishte pozitive që rekomandimet e Komisionit të Venecias për Projektligjin të adresoheshin.
“Ne kemi qenë kundër që ky Projektligj të mbesë në Kuvend pas opinionit të Komisionit të Venecias. Pas këtij opinioni nuk ka çështje të rëndësishme në Projektligj që nuk është e diskutueshme, që në fakt i bie që do të jetë ai sistem që është paraparë në Projektligj, por që do të jetë një projektligj krejtësisht tjetër”, ka theksuar Shala.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si është paraparë që të zgjidhet drejtori i Byrosë.
“Nëse flasim për përzgjedhjen e drejtorit është se do të jetë një trupë me përbërje të shumicës që do ta zgjedhë dhe do ta mbajë nën kontroll drejtorin e përgjithshëm ngjashëm pothuajse siç parashihet të ndodhë edhe me Akademinë e Drejtësisë. Mirëpo, ideja është që në këtë rast nuk e dimë se kush do të jetë anëtar e si do të zgjidhen, që e bëjnë të pamundur ta dimë nëse garantohet pavarësia e institucionit”, ka deklaruar Shala.
Ministrja Haxhiu ka thënë se gjatë hartimit të projektligjit Ministria e Drejtësisë është bazuar në praktikat e deritanishme që zgjedhja e drejtorit të bëhet nga Kuvendi.
“Meqë Byroja është institucion i pavarur dhe se votimi i drejtorit të bëhet sipas nenit 80 të Kushtetutës”, është arsyetuar ajo. “Por, gjithsesi rekomandimet konkrete nga opinioni lidhur me këtë çështje besoj se e kanë ndihmuar dhe do ta ndihmojnë më tutje edhe grupin punues që ta gjejnë një zgjidhje që do të kontribuojë për zgjedhjen e drejtorit sa më profesional dhe sa më të pavarur”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Ndërkaq kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi, ka thënë se të gjitha komentet e Komisionit të Venecias do të trajtohen.
“Komisioni për Legjislacion ka filluar menjëherë me fillimin e sesionit vjeshtor që ta trajtojë këtë projektligj të rëndësishëm që simbolizon po ashtu edhe një politikë të rëndësishme të re, si në formë të zotimit por edhe të nevojës shoqërore dhe institucionale në Kosovë. Përmes këtij dëgjimi publik si aktiviteti i parë, ne do të vazhdojmë edhe me punën e grupit punues për të trajtuar të gjitha rekomandimet e opinionit të Venecias, si dhe aspektet e tjera të këtij projektligji”, është shprehur Rrustemi.
Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në lexim të parë ka kaluar më 14 korrik të këtij viti.
Në seancën kur është shqyrtuar, deputetët e opozitës ishin deklaruar kundër miratimit të tij, nën arsyen se ishte kundërkushtetues. Në proces votimi kishte abstenuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe ish-deputetja Doarsa Kica-Xhelili, e cila ndërkohë ka kaluar nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, në Lidhjen Demokratike në opozitë.
Para shqyrtimit të parë në Kuvend, kryeparlamentari Konjufca e kishte dërguar Projektligjin në Komisionin e Venecias, nga i cili kishte kërkuar mendim.
Komisioni ka dhënë një numër vërejtjesh e ministrja Haxhiu ka thënë se rekomandimet e listuara do të adresohen para se Projektligji të dalë në lexim të dytë në Kuvend, kur është edhe faza finale e votimit.