Pa namaz në Xhami myslimanët në Kosovë po e festojnë Fitër Bajramin.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Për shkak të pandemisë COVID-19, kësaj radhe nuk është falur namazi i Bajramit në xhamitë e Kosovës.
Tërnava ka thënë se falja e këtij namazi të Bajramit është e veçantë sepse sipas tij është hera e parë që falet pa praninë e xhematit.
"Sot jam para jush me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë sepse në ditën e Fitër Bajramit po e festojmë pa xhemat. Agjërimi i sivjetshëm ishte ndryshe nga agjërimet tjera e më e veçantë është festa e Fitër Bajramit që po e përjetojmë sot për shkak të pandemisë COVID19, i cili na ka privuar nga shumë aktivitete në organizimin e riteve fetare. Që një kohë për shkak të kësaj pandemie dhe rrezikut të përhapjes jemi detyruar që të jemi të izoluar në familjet tona. Jemi detyruar që të heqim dorë nga namazi në xhamia, kemi hequr dorë nga shumë aktivitete, ashtu siç kemi hequr dorë nga falja e namazit të Fitër Bajramit. Të gjitha këto vendime jo të lehta janë marrë në të mirë të komunitetit dhe në të mirë të shëndetit publik", ka thënë Tërnava.