Arbëri

Pa falje në xhamia e me thirrje për kujdes festohet Fitër Bajrami në Kosovë

Ndryshe nga vitet e kaluara, për Fitër Bajram oborri i Xhamisë së Madhe në kryeqytet ka qenë i zbrazët këtë të diel.

Shkaku i pandemisë Covid 19, xhamitë për besimtarët myslimanë në Kosovë nuk u hapën as për këtë festë, raporton KOHA.

Por, ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit, u mbajt me një grup të vogël hoxhallarësh të udhëhequr nga myftiu Naim Tërnava.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për durim dhe që t’u shmangen vizitave familjare.

Shumë qytetarë nuk janë mësuar ta nisin këtë festë pa shkuar në xhami.

Por, thonë se duhet vepruar në të mirën e shëndetit publik, duke theksuar se në këtë formë e nderojnë edhe Zotin.

Festa e Fitër Bajramit shënon fundin e muajit të Ramazanit dhe është një ndër festat kryesore për besimtarët myslimanë.