Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Wiliam Walker, i cili sensibilizoi opinion ndërkombëtar për Masakrën e Reçakut, tha se nuk ka qenë e vështirë për të që të deklarojë atë që pa mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999 ku 45 civilë u vranë nga forcat serbe.
Walker ka deklaruar se i tregoi botës se çka pa dhe kush mendonte se ishte përgjegjës për masakrën.
“Pyeta se ku është Reçaku dhe çka ka ndodhur aty. Krejt rastësisht u vendos që të vijë dhe pashë atë që pash dhe pasdite tregova atë që kam parë, çka kam interpretuar dhe kush ka qenë përgjegjës për të. Nuk ka qenë e vështirë për të deklaruar për atë që pash në mëngjes, që 45 civilë të pafajshëm u morën nga fshati burra edhe djem të rijnë, nën kërcënimet e armëve të armatës së Serbisë dhe u vranë. Ishte e qartë se çka ndodhi aty dhe kjo ishte e vërteta për këdo që ishte me mua aty në mëngjes. Unë i tregova botës atë pasdite se çka pashë dhe kush mendoj se kush ishte përgjegjës”, tha ai të mërkurën në akademinë përkujtimore.
Walker ka thënë se 25 vjet më pas ka dal një libër, me përshkrimin e asaj dite.
“Kam ardhur para një trume të ngjashme sikur sot dhe para fshatrave të Reçakut. Nuk dija se çfarë të thosha dhe nuk isha në gjendje të thosha atë që doja ta thosha në lidhje me pikëllimin që mbizotëronte në atë fshat. Pas 25 vitesh u thash atyre që do ta shkruaj një libër për këtë dhe titulli do të jetë ‘Reçaku’. Ju kërkoj falje me të vërtetë se ky libër ka dal, vetëm 25 vite më vonë. Por, jam i kënaqur që ky libër më në fund u mundësua, jam i kënaqur që kryeministri dhe presidentja më kanë thënë mua që ky do të jetë një vlerë sa i përket rinisë së këtij vendi, popullatës së këtij vendi. Është shumë me rëndësi që ata të dëgjojnë përshkrimin tim, se pse kam marr pjesë në atë ngjarje para 25 vitesh”, tha Walker./EO
Osmani: Vuçiqi si ministër i propagandës i arsyetonte masakrat, e si president i Serbisë po i mohon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në Serbi ende po vazhdon mendësia e viteve ’90, mendësi kjo që shkaktoi mbi 100 mijë viktima civile në Ballkan.
Osmani ka folur gjatë akademisë përkujtimore për 26-vjetorin e masakrës së Reçakut.
“Në kohën kur njerëzit në Reçak masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin, me emrin Aleksandar Vuçiq. Sot po i njëjti, nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut. E mohon atë që bota e pa me sytë e vetë, e quan Millosheviqin njeri të madh me qëllime të mira. Si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe e në anën tjetër dërgon forcat e veta paramilitare terroriste për ta sulmuar Kosovën. Por, sikurse në vitet ’90 njësoj edhe sot Kosova ka djem dhe vajza që i dalin zot atdheut dhe e mbrojnë çdo pëllëmbë të tij”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se Reçaku është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë, që kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën për ekzistencë.
“Pamjet e masakrës tronditën botën dhe e prekën ndërgjegjen ndërkombëtare, krejt kjo në saje të mikut tonë të madh ambasadorit William Walker, që me guximin e përkushtimin i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë. Ai dëshmoi para botës atë që e pa me sytë e tij, mizoritë e paimagjinueshme të cilat regjimi gjenocidal i Serbisë i kreu mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare këtu në Reçak e kudo në Kosovë...Fjalët e thëna me vendosmëri nga ambasadori Walker tronditën opinionin publik ndërkombëtar dhe ishin thirrje për veprim të menjëhershëm, duke hapur rrugën për ndërhyrje të NATO-s që bashkë me luftën çlirimtare të bijve e bijave të Kosovës, të Ushtrisë sonë çlirimtare, e bën Kosovën më në fund të lirë”, tha Osmani.
Kurti nga Reçaku: Ka përfunduar lufta për çlirim, por jo beteja për drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në akademinë përkujtimore për Masakrën e Reçakut i çoi mesazh Serbisë se lufta për çlirim ka përfunduar, por jo edhe beteja për drejtësi.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se kriminelët që kryen masakrën e Reçakut vazhdojnë të mbesin të pandëshkuar. Siç ka thënë shefi i ekzekutivit, ata duhet të ndëshkohen, qoftë edhe në mungesë.
“Varre të hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin. Ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësi, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve, qoftë edhe në mungesë. Në vitin 1998/99 thuhej se përfundoi beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi”, ka thënë Kurti.
Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu, ka thënë se Reçaku nuk është veç tragjedhia, por edhe dëshmi para historisë.
“Është ditë që ka vulosur fatin e popullit tonë. Fshati i vogël u bë dëshmi e dhimbjes më të thellë dhe sakrificës. Ishte zëri dhe guximi i ambasadorit Wiliam Walker i cili pa frikë e pa mëdyshje e quajti këtë masakër një krim kundër njerizimit, duke i paraprirë ndërhyrjes ndërkombëtare që së bashku me luftën e UÇK-së i dhanë fund dhunës dhe sollën lirinë. Reçaku nuk është thjeshtë tragjedi, është dëshmia jonë para historisë”, u shpreh Aliu.