Arbëri

Osmani uron ukrainasit: Kosova qëndron me ju

Osmani - Zelensky

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidentin dhe popullin ukrainas për ditën e Pavarësisë.

Osmani ka thënë se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah Ukrainës në luftën e saj për mbrojtje dhe paqe.

“Përballë luftës së paprovokuar, Ukraina ka demonstruar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, forcë dhe vendosmëri të palëkundur. Kosova ka qëndruar me ju do të vazhdojë të qëndrojë ndërsa ju e mbroni vendin e juaj dhe luftoni për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Rroftë Ukraina”, ka shkruar ajo në platformën X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë. Ka ritheksuar mbështetjen për Ukrainën. 

Shprehu se Qeveria do të vijojë të mbështesë maksimalisht dhe palëkundur, luftën e drejtë të Ukrainës, kundër invazionit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse.

Ukrainasit po e festojnë pavarësinë në një kohë kur ata po kryejnë inkursion befasues në rajonin Kursk të Rusisë, në kufi me Ukrainën. Kievi thotë se tani i ka nën kontroll 92 vendbanime dhe 1.260 kilometra katrorë territor rus.