Arbëri

Osmani u drejtohet mërgimtarëve: Ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një videoje të postuar në rrjetet sociale u është drejtuar mërgimtarëve duke u thënë se ata janë shpirti i Kosovës. 

Në videomesazhin e saj, ku shfaqen pjesë të ndryshme të Kosovës, Osmani thotë se bujaria dhe përkushtimi i mërgatës për të mbajtur të fortë lidhjen me atdheun janë të jashtëzakonshme.

“Malli për Kosovën është një lidhje që na bashkon, kudo që të na çojë jeta. Kthimi juaj këtu forcon identitetin tonë kolektiv dhe na kujton shpirtin e qëndrueshëm të popullit tonë. Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për ju. Përvojat, aftësitë dhe perspektivat tuaja janë tejet të çmueshme, ndërsa ne vazhdojmë ta ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për atdheun tonë të dashur. Ju ktheheni në vatrat tuaja. Ju ktheheni në Kosovën tuaj, atdheun tuaj shpirtëror. Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura sepse ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës”, thotë ndër të tjera Osmani.