Arbëri

Osmani thotë se përfshirja e grave në ushtri është e ulët

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se niveli i punësimit të grave prej 10 për qind në ushtri në vend është i ulët, dhe për këtë ajo ka bërë thirrje që në konkurset e ardhshme, ministria e Mbrojtjes të mundësojë dispozita të veçanta të punësimit të grave.

Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë konferencës me temën “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”, e cila organizohet në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Sipas Osmanit, gratë ushtare janë imazhi i Kosovës dhe FSK-së,që dëshiron ta shohë edhe në të ardhmen.

“Kosova po shquhet jo vetëm brenda rajonit, por edhe në nivel ndërkombëtar. Në këtë drejtim ka shumë punë për t’u bërë, bota po përballet me sfida shumë komplekse. Aty ku ka pabarazi gjinore nuk ka sukses. Niveli prej 10 për qind është tejet i ulët, ne mundemi të bëjmë më shume se kaq. Javën e kaluar isha në takime në selinë e NATO-s dhe tema që u hap ishte pikërisht tema e agjendës së avancimit të grave në siguri. Për t’ia dal me sukses nuk mjaftojnë vetëm fjalët, na duhen vepra e resurse të bollshme. Ka sfida me të cilat ballafaqohen gratë në ushtri, pikërisht për shkak të paragjykimeve kulturore edhe institucionale kemi kaq shumë mundësi të humbura për gratë. Ka raste kur gratë ballafaqohen edhe me ngacmime seksuale në punën e tyre. Është esenciale që në ushtri të përfshihen kurrikula për të trajtuar këto. Është me rëndësi që në konkurse që do të të hapen në të ardhmen të kemi dispozita të veçanta ashtu siç e lejon edhe Kushtetuta, të kemi mjete afirmative që sa më shumë gra të konkurrojnë dhe të bëhen pjesë e ushtrisë tonë” ka thënë Osmani.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se si ministri kanë krijuar infrastrukturë ligjore që krijon barazi gjinore për të gjithë.

“Në Kosovë gratë dhe vajzat kanë qenë ato që kanë përjetuar mizorit. 20 mijë është numri i grave të dhunuara. Do të vazhdojmë që të angazhohemi në eliminimin e pengesave që stagnojnë avancimin e grave në Forcë. MB-ja ka krijuar infrastrukturë ligjore që krijon barazi gjinore për të gjithë. Gratë ushtare sot operojnë në kushte me të mira. Të gjitha masat e ndërmarra janë shtysa dhe inkurajojmë për integrimin e grave në ushtri”, ka thënë ai.