Ciklin e vizitave në komunat e vendit, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu e ka vazhduar të martën në Mamushë, prej nga edhe një herë u ka bërë thirrje mësimdhënësve që t’i hapin shkollat për nxënësit. Teksa ka vlerësuar hapat për fuqizimin e grave në komunën e vetme me shumicë turke në Kosovë, ajo u ka bërë thirrje edhe kryetarëve të komunave në veri që të ndjekin shembullin e Mamushës për bashkëpunim me institucionet e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar, të martën, nga mësimdhënësit që të ndërpresin grevën dhe t’i hapin dyert e shkollave për nxënësit. Ajo ka vlerësuar se punonjësit e arsimit nuk duhet që fëmijëve t’ua mohojnë një të drejtë kushtetuese.
Gjatë turit të saj nëpër komunat e Kosovës, ajo ka vizituar Komunën e Mamushës, ku krahas çështjes së arsimit ka diskutuar edhe për fuqizimin e grave, për përmirësimin e infrastrukturës, gjendjen e sigurisë dhe të tjera.
Pas takimit me kryetarin e Komunës, Abdylhadi Krasniq, Osmani ka shprehur qëndrimin se si do të dëshironte që sot t’i shihte nxënësit e Mamushës në shkollat e tyre.
“Gjithçka tjetër zgjidhet, por dëmi që u bëhet fëmijëve duke mos shkuar në bankat shkollore është i pariparueshëm. Për dëmin që bëhet për fëmijët nuk ka më kthim prapa”, ka thënë presidentja Osmani. “Ligji i pagave do të vijë, por kohën që po e humbin fëmijët tanë nuk do të mund ta kthejmë më. Prandaj nga këtu u bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve këtu në Mamushë dhe çdokund në Kosovë që t’i bashkojmë forcat, që të kthehen në shkolla, që t’ua ofrojnë gjithë përkrahjen e mundshme dhe diturinë nxënësve, fëmijëve tanë, dhe pastaj të ecim përpara në realizimin e kërkesave racionale brenda mundësive që Republika e Kosovës i ka, përkundër vështirësive të mëdha ekonomike, energjetike, me të cilat po ballafaqohet jo vetëm vendi ynë”.
Osmani ka bërë të ditur se këto argumente i ka shtruar edhe në takimin e mbajtur me përfaqësuesit e Sindikatës, në përpjekje për t’i bindur ata që ta ndërpresin grevën e mësimdhënësve.
këto takime kam qenë shumë e qartë, që çelësi për realizimin e kërkesave është çelësi i njëjtë që i hap shkollat. Pra, shkollat duhet të hapen, nxënësve nuk duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese në arsim dhe kjo e krijon pastaj një situatë krejt të re për të diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohet komplet sektori i arsimit, por edhe shërbyesit e tjerë civil”, është shprehur ajo.
E pyetur nga gazetarët nëse turin e saj do ta zhvillojë edhe në komunat në veriun e Kosovës, Osmani ka theksuar se një gjë e tillë varet nga vullneti i kryetarëve të komunave. Dhe në këtë aspekt Mamushën e ka cilësuar si shembull të mirë të integrimit.
“Natyrisht që shumë shpejt do të jem edhe atje për t’i vizituar qytetarët. Sa u përket vizitave në komuna, duhet të ketë vullnet edhe tek kryetarët e komunave, ashtu siç ka pasur vullnet kryetari i Mamushës që ta bëjmë këtë takim të përbashkët”, ka thënë ajo. “Dua që t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos bien pre e propagandës ruso-serbe. Institucionet e Kosovës kanë vetëm një qëllim, që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë, që të trajtohen barabartë para ligjit dhe atyre t’u sigurohet një jetë e qetë, e sigurt dhe e barabartë në Republikën e Kosovës”.
Pos kësaj, presidentja Osmani ka vlerësuar edhe përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave të Mamushës në arsim e ekonomi, gjë që, sipas saj, është parakusht për një shoqëri të shëndoshë dhe shtet të zhvilluar. Në këtë kuadër ka vizituar Qendrën për fuqizimin e grave, të mbështetur nga UN Women dhe instituti “Junus Emre” në Gjimnazin Ataturk.
Gjatë qëndrimit në Mamushë ka vizituar edhe Fabrikën e prodhimit të thasëve.