Arbëri

Osmani takon Cavolin: Kosova e përkushtuar për sigurinë e rajonit

Osmani - Cavoli

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar komandantin suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO, gjeneralin Christopher Cavoli.

Ajo e ka vlerësuar “të frytshëm” takimin me Cavolin, i cili u realizua në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.  

“Diskutuam mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 viteve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë”, ka shkruar Osmani.

Osmani takoi gjatë ditës edhe presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, ku tha se Kosova dhe Letonia janë të paluhatura në angazhimin për siguri, paqe dhe vlerat që i bashkojnë ato.