Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim gjeneralin Ëesley K. Clark, ish-komandant suprem i NATO-s për Evropë, i cili udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Osmani ka folur për progresin e Kosovës ndër vite, duke vënë në dukje punën e vazhdueshme për ta forcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare, sikurse edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Zyra e Presidencës ka njoftuar më tej nga takimi ku Osmani është shprehur se e ardhmja e Kosovës është e qartë drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetit me SHBA-në.
“Vendosmëria dhe lidershipi juaj i kontribuuan lirisë së Kosovës, duke siguruar një të ardhme ku dinjiteti mbizotëron mbi frikën dhe shtypjen”, ka thënë Osmani.
Më pas Clark ka takuar edhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ministri e ka njoftuar mbi përparimin e FSK-së në realizimin e objektivave të dakorduara në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.
“Takime si ky na japin emocion dhe janë rikujtues i kohërave të vështira të angazhimit të përbashkët për liri. Kur po luftonim me bashkëluftëtarë kundër së keqes që i kanosej vendit tonë, ndihma nga ajri përmes NATO-s ishte vendimtare për përmbylljen e luftës. Wesley Clark, po komandonte forcat e NATO-s në ndërhyrjen humanitare që do të ndryshonte përgjithmonë të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Maqedonci.