Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Osmani në këtë takim ka thënë se suksesi i Kosovës është edhe i Shqipërisë dhe anasjelltas.
Sipas saj, avancimi i interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rritja e koordinimit në fushën e politikës së jashtme janë në interesin reciprok të të dy shteteve.
“Shqipëria për Kosovën është jo vetëm shtet vëllazëror, por edhe një partnere strategjike në rrugëtimin evropian. Siç e kemi pasur mbështetjen në shumë etapa historike të lirisë dhe shtetndërtimit, jemi të sigurt që shteti shqiptar do të jetë në mbështetje tonën kudo ku kemi nevojë”, ka theksuar ajo.
Osmani ka falënderuar përfaqësuesit e Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe ka theksuar se pret që të martën ata sërish ta bëjnë të njëjtën gjë në procesin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.