Kandidati i BDI-së Bujar Osmani në paraqitjen e tij të parë para mediave, deklaroi se fitorja e tij kundrejt kandidatit të VLEN-it, Arben Taravari është shumë e thellë, sipas tij diku mbi 40 mijë vota.
Osmani numëroi dhe komunat në të cilat ka shënuar fitore, përfshi edhe Tetovën, Gostivarin dhe Çairin.
“Kemi shënuar fitore në çdo komunë të vendit. Jegunovcë, Haraçinë, Vrapçishtë, Studeniçanë, Likovë, Bogovinjë, Zhelinë, Gazi Babë, Bërvenicë, Dollnen, Resnjë, Strugë, Çashkë, Zelenikovë, Ohër dhe fitore në Tetovë, Saraj, Manastir, Çuçer Sandevë, Veles, Kërçovë, Karposh, fitore në Gostivar, Krushëvë, Kumanovë…në Çair, Qendër, Dibër gjithandej në Republikë, fitore e thellë e Frontit Evropian”, deklaroi Osmani. /Alsat.mk
Kandidatja e VMRO-së prin në zgjedhjet presidenciale
Në Maqedoninë e Veriut qytetarët më 24 prill votuan për presidentin e ri të shtetit.
Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për të parin e shtetit.
Sipas rezultateve të publikuara nga 59 për qind e vendvotimeve, Siljanovska-Davkova, ka fituar 197.741 vota apo 37.80 %. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.
Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.
Më herët, KSHZ, tha se në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 49 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:000, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues./ REL
Incidentet në zgjedhjet presidenciale – Fotografim i fletëvotimeve e afishe për bojkot të votimit
Procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut po shkon në rregull, me pak incidente të regjistruara deri tash.
Ekipi i KTV-së ka qëndruar në Shkup nga mëngjesi dhe ka raportuar nga atje të dhënat zyrtare nga incidentet. Këto incidente përfshijnë fotografimin e fletëvotimeve si dhe afishet që janë parë në kryeqytet me thirrjet për t’i bojkotuar zgjedhjet presidenciale.
Dalja e qytetarëve në votim ka qenë rreth 26 për qind deri në orën 13:00, që krahasuar me zgjedhjet paraprake shënon ngritje të numrit prej 10 për qind.
Në garën presidenciale janë shtatë kandidatë, prej tyre dy shqiptarë.
Mbyllen vendvotimet në Maqedoninë e Veriut
Në orën 19:00 janë mbyllur vendvotimet për raundin e parë të zgjedhjeve të sotme presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Kandidati për president nga VLEN, Arben Taravari, ka pasur paraqitjen e parë për media pas mbylljes së vendvotimeve. Ai ka thënë se garantojnë se vota e secilit do të jetë e sigurt.
“Jemi këtu dhe do të garantojmë se vota e secilit do të jetë e sigurt. Vota e shqiptarëve nuk duhet të preket”, ka theksuar Taravari. /Alsat.mk
Deri në orën 17:00 votuan 44.18 për qind e qytetarëve
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë Veriore ka bërë të ditur se deri në ora 17:00, numri i votuesve në vend është 44.18 për qind.
Në konferencën e radhës, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se në krahasim me rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2019 deri në orën 17:00, në këto zgjedhje vërehet dalje më e lartë.
“Deri në orën 17:00 në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve kanë mbërritur të dhëna për daljen e votuesve nga gjithsej 1.788 vendvotime, ku janë të regjistruara gjithsej 899 mijë 977 dhe kanë votuar 397.612 votues, ose 44.18 për qind. Sipas të dhënave të deritanishme, dalja më e madhe është shënuar në komunën e Novacit 67.19 për qind, dalja më e ulët në Plasnicë me 15.52 për qind. Deri më tash votimi vazhdon i qetë në të gjitha vendvotimet. Jemi në koordinim me komisionet komunale zgjedhore dhe këshilla zgjedhor. Në krahasim me rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2019 deri në orën 17:00, në këto zgjedhje vërehet dalje më e lartë për 9 për qind”, ka thënë ai.
Deri më tash në KSHZ janë dorëzuar 308 kundërshtime për mbrojtjen personale të votimit, prej tyre 75 janë pranuar, 27 kundërshtime janë hedhur poshtë dhe 38 janë refuzuar.
Sipas tij, procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut kryesisht po kalon pa probleme dhe i qetë.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin në raundin e parë për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.
Vendvotimet janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 1.814.317.
VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje garon me deputetët aktuale Gordana Siljanovska-Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet garon me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim garon me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”. /ksp
26.35 për qind kanë votuar deri në orën 13:00
Ai tha se në përgjithësi procesi zgjedhor në përgjithësi është duke u zhvilluar pa pengesa.
12.78 për qind kanë votuar deri në orën 11:00
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni të Veriut, deri në ora 11:00 të drejtën e votës në gjithë territorin e vendit e kanë shfrytëzuar 12.78 për qind e votuesve.
Nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.
Votimi për president në Maqedoni të Veriut po shkon pa telashe
Të gjitha vendvotimet në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut janë hapur me kohë dhe votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa parregullsi, ka njoftuar kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Dashtevski.
Ai në konferencën për media ka thënë se deri në orën 9 kanë votuar 3.85 për qind e votuesve të regjistruar në 832 vendvotime.
“Dy orë e gjysmë pas fillimit të votimit, votimi është zhvilluar i qetë dhe pa parregullsi të raportuara në të gjitha vendvotimet. Deri në orën 9 janë marrë të dhënat për pjesëmarrjen në 832 vendvotime. Nga gjithsej 402.748 votues të regjistruar. Në ato vende kanë votuar 15.487 ose 3.85 për qind”, është shprehur Dashtevski.
Kryetari i KSHZ-së ka shtuar se kanë pranuar 12 ankesa për parregullsi.
“Këto zgjedhje po monitorohen nga 915 vëzhgues maqedonas dhe 544 të huaj, si dhe 38 gazetarë të huaj”, ka deklaruar ai.
Nisin zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të mërkurën u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale. Në garë janë shtatë kandidatë, prej tyre dy shqiptarë.
Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00, ndërsa do të zgjasin deri në orën 19:00. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore është 1.814.317. Janë zgjedhjet e shtata presidenciale prej kur Maqedonia e Veriut e shpalli pavarësinë.
Për të fituar në rundin e parë, një kandidat duhet të marrë 50 për qind plus një të votave. Duke marrë parasysh se janë shtatë kandidatë, gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të vogla. Prandaj, pritet të ketë rund të dytë në të cilin do të shkojnë dy më të votuarit. Rundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj, ditën kur janë edhe zgjedhjet parlamentare.
Shqiptarët janë të ndarë në dy fronte edhe në këto zgjedhje. Koalicioni “Fronti Evropian” ka kandidat Bujar Osmanin, ndërsa koalicioni VLEN ka Arben Taravarin, kandidati që u mbështet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për herë të parë në koalicion parazgjedhor “Fronti Evropian”, me BDI-në në mbështetje të Osmanit është përfshirë edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës.
Ndërkaq Taravari, i cili u shkarkua nga partia pasi hyri në koalicionin VLEN, ka mbështetjen e Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe të partisë Alternativa.
Megjithatë, gara kryesore pritet të jetë mes kandidatëve maqedonas. Stevo Pendarovski synon mandatin e dytë dhe thotë se shteti duhet ta ndryshojë Kushtetutën, konform kërkesës për anëtarësim në BE. Kundër ndryshimeve kushtetuese është VMRO-DPMNE-ja, e cila për kandidate ka Gordana Siljanovska Davkova.