Arbëri

Osmani: Rusia e përdor Serbinë si shtet satelit për të minuar gjithçka që ndërtuam

Në shtetin, i cili është anëtarësuar së fundi në Aleancën Veriatlantike të NATO-s shkaku i shqetësimit nga ambiciet e Rusisë, presidentja Osmani ka deklaruar se Federata Ruse po e përdor Serbinë për ta minuar të gjithë atë që Kosova e ka ndërtuar bashkë me aleatët e saj

“Rusia është duke e përdorur Serbinë si shtet satelit për t’i minuar të arriturat në Kosovë”, ka deklaruar të enjten presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj dyditore në Finlandë.

Osmani ka qëndruar në shtetin fqinj të Rusisë, i cili është anëtarësuar në Aleancën Veriatlantike të NATO-s në vitin 2023 – në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Tek ka folur para studentëve të Universitetit të Helsinkit, Osmani ka deklaruar se qëllimi i Rusisë është që ta rrënojë ndërtimin e të gjitha atyre arritjeve që i ka bërë Kosova, bashkë me të gjithë aleatët e saj e në të cilët bën pjesë edhe shteti i Finlandës.

“Sigurisht, pikërisht sepse të dyja vendet tona e dinë çmimin e lartë që paguhet për lirinë, kemi qëndruar përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit të Rusisë. Por, po aq e rëndësishme sa është të luftojmë ambiciet e Rusisë, është të kuptojmë se ajo përdor edhe shtete satelite për t’i ndjekur ato qëllime. Në rajonin tonë, Rusia po përdor aktivisht Serbinë si një satelit për të minuar gjithçka që ne, bashkë me aleatët tanë, kemi ndërtuar me aq mund dhe gjithçka që vazhdojmë të ndërtojmë çdo ditë”, ka theksuar presidentja Osmani në Helsinki.

Osmani ka thënë po ashtu se është shumë me rëndësi që shtetet si Finlanda dhe Kosova të artikulojnë kundërshtimin e tyre kundër shteteve me ambicie territoriale dhe me mendësi gjenocidale. 
“Sot, teksa jemi dëshmitarë të rikthimit të ideologjive agresive, ekspansioniste dhe imperialiste, duhet të riafirmojmë të gjithë angazhimin tonë për një Evropë të lirë dhe në paqe. Kjo është e mundur vetëm nëse vende si Kosova dhe Finlanda vazhdojnë të flasin. Duhet, siç tashmë bëjmë, të ngremë zërin kundër ambicieve gjithnjë në rritje territoriale të Rusisë. Kundër mendësisë së saj gjenocidale dhe kundër përpjekjeve të saj për të destabilizuar arritjet tona demokratike të përbashkëta dhe mënyrën tonë të jetesës”, ka theksuar ajo.
Osmani ka vlerësuar lartë kontributin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari dhe të popullit të Finlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë, teksa ka theksuar se “ata qëndruan përkrah (Kosovës) në momentet kyçe historike”.

“Sot, përballemi me shumë nga të njëjtat sfida, si çdo demokraci tjetër evropiane. Por Kosova ende qëndron si një fener i asaj që është e mundur. Ajo që është e mundur kur një popull e drejton vështrimin nga e ardhmja. Ne kemi ndërtuar institucione të forta demokratike, një ekonomi të udhëhequr nga të rinjtë dhe një politikë të jashtme të ankoruar fort në vlerat euroatlantike. Kemi treguar se nga hiri i luftës, një popull mund të ngrihet, ashtu siç e dëshmoi dikur edhe Finlanda se qëndrueshmëria është më e fuqishme se shtypja”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani një ditë më parë e ka dekoruar presidentin finlandez, Alexander Stubb, me medalje ushtarake presidenciale për kontributin e forcave ushtarake në misionin e KFOR-it.

Ajo ka theksuar se pas formimit të Qeverisë do të bëjë përpjekje për ta forcuar bashkëpunimin mes dy shteteve, duke hapur ambasadë të re në këtë shtet dhe duke nënshkruar marrëveshje për çështje të sigurisë mes dy shteteve. Krahas homologut të saj, gjatë kësaj vizite zyrtare Osmani ka takuar edhe udhëheqësit e Kuvendit dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët i ka falënderuar për përkrahjen e Kosovës në integrimin euroatlantik.

Presidentja ka takuar edhe pjesëtarë të diasporës, si dhe ka vendosur kurorë lulesh në varrezat “Hietaniemi”, ku ka bërë nderime për të rënët në luftën çlirimtare të Finlandës.