(Përditësuar: 09:45) - Vizitën e sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.
Ajo ka thënë të mërkurën para mediave se aleanca mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës është ndërtuar në vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë e paqes, duke shtuar se përkushtimi i Britanisë së Madhe ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i pandërprerë.
Osmani njoftoi se kanë arritur thellim të raporteve në çështje të sigurisë me Britaninë e Madhe, teksa shtoi se ka ende hapësirë për fuqizim të aleancës dhe të prezencës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
“Lidhja e marrëveshjes për bashkëpunim strategjik mes dy vendeve që në veçanti do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë. Pra, sot kemi diskutuar për thellim të bashkëpunimit strategjik në këto fusha që do të vazhdojnë më pas me ekipet tona. Jemi të përkushtuar të konkretizojmë këtë marrëveshje. Ka hapësirë për fuqizim të mëtejshëm të aleancës dhe të prezencës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë”, ka thënë Osmani.
Presidentja e Kosovës shtoi se kanë diskutuar edhe mbi çështjen e dialogut me Serbinë, duke thënë se pala kosovare mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për paqe e stabilitetit, “pavarësisht se përballemi me sulme që kanë nisur vite me herët dhe që po vazhdojnë edhe tani”.
Osmani tha se përkrahja e Mbretërisë së Bashkuara për Kosovën është historike.
Osmani pret në takim sekretarin e Jashtëm britanik
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.
Sipas Presidencës, takimi ka nisur pas orës 08:30.
Pas takimit, Osmani dhe Lammy do të deklarohen për media.
Lammy: Duam normalizim të qëndrueshëm mes Kosovës e Serbisë
Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka thënë se vendi i tij dëshiron të ketë një normalizim të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Lammy në një konferencë për media në Prishtinë pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se Britania e Madhe shpreson të shohë angazhim të fuqishëm në dialog nga qeveria e ardhshme e Kosovës. Ai ka thënë se shpreson që së shpejti të formohet qeveria e re në Kosovë.
“Janë disa gjëra që duam t’i shohim. Normalizim të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Britania padyshim është kontribuuese e madhe në KFOR. E kam vizituar KFOR-in herën e fundit që isha këtu dhe do ta vizitojë prapë...Shpresoj që qeveria e ardhshme i adreson nevojat e gjithë qytetarëve, përfshirë progresin në integrimin e serbëve në Kosovë dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ka thënë Lammy.
Ai ka thënë se është me rëndësi që të shihet përparimi i Kosovës në udhëtimin euroatlantik.
“Me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar shpresojmë që të mund të anëtarësoheni në Këshillin e Evropës”, tha Lammy.
Ai ka folur edhe për Procesin e Berlinit të cilën Britania e Madhe do ta udhëheqë këtë vit.
“Është i rëndësishëm për t’i rritur lidhjet mes këtij rajoni dhe pjesës tjetër të Evropës”, tha Lammy.
Lammy foli edhe për thellimin e partnerit strategjik mes dy vendeve, përfshirë edhe në mbrojtje.
“Janë disa fusha si teknologji, inovacion e po ashtu energjia e pastër. Gjithashtu pasi të dy vendet tona kanë bërë zotime për t’i rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes, ka shumë gjëra që mund të bëjmë bashkë”, tha Lammy, që shtoi se me Osmanin ka diskutuar për bashkëpunim në një marrëdhënie më të strukturuar në muajt e ardhshëm.