Arbëri

Osmani pret admiralin amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin në rajon

Stuart B. Munsch dhe Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, ka  pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar edhe nga komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani në takim ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.
Gjatë diskutimit, thuhet se presidentja ka shprehur vlerësimin për mbështetjen e NATO-s, për lirinë e Kosovës si dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani thuhet se ka uruar gjeneralmajor Barduani për marrjen e detyrës dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në gjithë territorin e Kosovës dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.