Arbëri

Krerët institucionalë: Populli i Kosovës u bashkohet miliona njerëzve në zi për vdekjen e Papës

papa francesco

Foto: Associated Press

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se trashëgimia e Papa Françeskut, i cili vdiq të hënën, do të jetojë në jetët e panumërta që ai ka prekur.

Ajo ka thënë se populli i Kosovës u bashkohet miliona njerëzve në zi për vdekjen e Papës.

“Populli i Republikës së Kosovës i bashkohet miliona njerëzve anembanë botës në zi për vdekjen e Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut - një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë. Trashëgimia e tij do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku. Ne qëndrojmë me të gjithë ata që përcjellin mesazhin e tij të qëndrueshëm të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Edhe kryeministri Albin Kurti shprehu ngushëllime për vdekjen e Papës, duke thënë se trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të vazhdojë. 

“Në këtë të hënë të Pashkëve - një ditë shprese dhe ripërtëritjeje për të krishterët në mbarë botën - ne vajtojmë vdekjen e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut. Trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të vazhdojë. Në emër të popullit të Kosovës, shpreh ngushëllimet tona më të thella. U preftë në paqe”, ka shkruar Kurti. 

Për vdekjen e Papës ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 

" Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë", ka shkruar ai në Facebook.

Papa Françesku vdiq të hënën e 21 prillit në moshën 88-vjeçare. Papa vdiq disa javë pasi u lirua nga një spital i Romës, për shkak se u përball me një rrezik të pneumonisë në mushkëri.