Arbëri

Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Britaninë e Madhe

Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar të mërkurën Zyra e Presidentes. 

Siç bëhet e ditur, Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë të shteteve evropiane, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim të adresimit të çështjeve më urgjente për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve anekënd Evropës.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë ‘Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja’. Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe Kryeministri Keir Starmer”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimeve bilaterale, Osmani thuhet se do të diskutojë rëndësinë e forcimit të aleancave të Republikës, si dhe thellimit të bashkëpunimit me shtetet partnere me fokus të veçantë në fushën e sigurisë.