Arbëri

Osmani për Trumpin: Nuk e shoh si kërcënim, Kosova e ka pasur mbështetjen e çdo administrate

Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur para samitit të Komunitetit Politik të Evropës nga ku ka thënë se bashkëpunimi i Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë fuqishëm edhe nën administratën Trump.

Ajo ka theksuar se zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së do ta forcojë më tej bashkëpunimin edhe me Kosovën.

“Zgjedhja e presidentit Trump do vazhdojë ta fuqizojë këtë marrëdhënie dhe secili duhet ta japim kontributin tonë. Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë, kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën Trump. Bashkëpunimi i fuqishëm mes Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë”, ka thënë Osmani.

Osmani është pyetur nëse e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit, e ajo është përgjigjur se nuk e sheh të tillë për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë Kosovës për dekada si republikanët ashtu edhe demokratët.

“Nuk e shoh si kërcënim, Kosova ka përfituar për dekada nga mbështetja dypartiake e SHBA-së”.

Rama për fitoren e Trumpit: Ndoshta mund të jetë diçka e mirë për Evropën

5 muaj më parë / 7 nën 2024 11:57
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jetë diçka e mirë për Evropën.

Para samitit të Komunitetit Politik të Evropës në Budapest, Rama ka thënë se edhe në mandatin e parë të Trumpit njerëzit thanë se NATO-ja do të dobësohet, por sipas kryeministrit, u forcua.

“Mendoj se ka pasur shumë ngazëllim, ndoshta jo në rrugën e duhur për rikthimin e mundshëm të Trumpit dhe kur ishte president në mandatin e parë të gjithë thanë se NATO-ja do të dobësohet, por u forcua. Ta shohim. SHBA-ja është SHBA-ja, nuk do të thotë se është keq për Evropën, ndoshta mund të jetë diçka e mirë për Evropën. Çka ndodh në SHBA nuk duhet ta shohim si shqetësim për ne”, ka thënë Rama.