Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Fitër Bajramin, duke thënë se kjo festë është përkushtim ndaj besimit, sakrificës e vetëmohimit.
“Solidariteti ndërnjerëzor, i cili e shoqëron muajin e bekuar të Ramazanit është trashëgimi e jona e çmuar. Festa e Fitër Bajramit është përkushtim ndaj besimit, sakrificës dhe vetëmohimit. Lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin. Ju përcjelltë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja! Në këtë ditë feste, të gjithë duhet ta hapin zemrën, ta shtrijnë dorën e mirësisë dhe bujarisë për ata që kanë nevojë. Qoftë kjo ditë e mbushur me gëzim të pakufishëm, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë! Urime dhe me fat Fitër Bajramin!” thuhet në urimin e presidentes për Fitër Bajram.
Kurti: Kufizimet në Ramazan, ndërgjegjësim shtesë për të mirat që kemi
Kryeministri Albin Kurti ka uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajram.
“Për hajër Fitër Bajrami! Lutjet gjatë muajit të Ramazanit, le të bëhen urimet më të përzemërta për familjet, miqtë dhe të dashurit tuaj në këtë ditë të Bajramit. Kufizimet e përjetuara, le të bëhen ndërgjegjësim shtesë gjatë gjithë vitit për të mirat që kemi dhe të tjerët që kanë më pak. E mëshira dhe mirësia, le të mbeten normë e përditshme për të gjithë, ndaj të gjithëve. Me urimin që agjërimi dhe lutjet t’ju jenë pranuar, ju dëshiroj të gjithëve një ditë gëzimi dhe mbarësi përherë!”, ka shkruar ai në Facebook.