Veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Agim Aliçkaj, ka deklaruar se zyrtari amerikan, Richard Grenell, ka gabuar me deklarimet e bëra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se deklarimi që “bashkësia ndërkombëtare është kundër Kurtit” është përzierje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Sipas Aliçkajt, ky veprim është antiamerikan dhe s’i ka hije “një emisari që pretendon se mund të zgjidhë probleme”.
“Deklarata e Grenellit është përzierje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Ky veprim është antiamerikan. Veprim që s’i ka hije një emisari...Grenelli ende s’e përfaqëson SHBA-në, por po e shfrytëzon situatën”, ka thënë Aliçkaj.
Video:
Veprimtari shqiptar në SHBA u shpreh se Grenelli duhet t’i sqarojë lidhjet e tij me politikanë serbë dhe rusë, duke theksuar se ekzistojnë dyshimet se është edhe i korruptuar.
“Fakti që s’ka mbërri të marrë detyra të mëdha tregon se ka probleme me shtetin amerikan, pasi s’i ka sqaruar lidhjet me tij me Serbinë dhe politikanë rusë. Ka dyshime se ndoshta është i korruptuar, prandaj s’ka mundur të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit. Në këtë moment s’duhet ta marrim Grenellin si përfaqësues për çështjen e Kosovës. S’është i caktuar ende, prandaj s’ka të drejtë të flasë për Kosovën. Deklarimet e tij për zgjedhjet në Kosovë dhe qortimi ndaj Kurtit është i pavend dhe gabim i madh që tregon edhe karakterin e tij”, ka thënë Aliçkaj.
Sipas veprimtarit në SHBA, Grenelli me deklarimet e tij ka marrë anën e Serbisë.
Drenori: Kam pritur që Grenelli do të tentojë ta dëmtojë Kurtin, e ka personale
Analisti politik, Xhavit Drenori, ka deklaruar se gjuha e zyrtarit amerikan, Richard Grenell, ndaj kryeministrit Albin Kurti është personale, e sipas tij, këtë po e përdor për shkak të hatërmbetjeve të kaluara.
Drenori ka deklaruar të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se Qeveria e Kosovës duhet të ketë gjuhë të kujdesshme ndaj administratës së Donald Trumpit. Gjuha e Grenellit, sipas Drenorit, nuk është aspak diplomatike.
“Gjuhës aspak diplomatike të Grenellit ne duhet t’i përgjigjemi me gjuhë super-diplomatike dhe të kujdesshme. Fuqia e tij mund të jetë e madhe. S’do të duhej të ndërhynte në zgjedhje. Ai sikur të vendoste një lloj balance, por brenda fshihet një lloj mërie ndaj Kurtit. Ne duhet të jemi të kujdesshëm si shtet pasi ekzistenca jonë varet nga siguria”, ka thënë ai.
Sipas Drenorit, është e pritshme që Richard Grenell të kishte gjuhë të tillë ndaj kryeministrit Kurti.
“Kam pritur që Grenelli ta sulmojë Kurtin ose t’ia vështirësoj të mundshmes për zgjedhje. Por sa ndikon s’e di. Është raport shumë personal, nuk shoh që po e përfaqëson administratën Trump. Ndikim do të ketë, por këto reagime i bën për shkak të hatërmbetjes së të kaluarës”, ka thënë tutje ai.
Koci: Kontrolli në veri me kosto të lartë, Grenelli u nxit nga deklarata e Kurtit
Njohësi i çështjeve politike Melazim Koci ka thënë se vendosja e kontrollit në pjesën veriore të Kosovës ka pasur kosto të lartë, ku janë cenuar raportet me aleatët ndërkombëtarë.
Koci ka thënë në “Zgjedhjet në Kosovë” se duhet punuar nga qeveria e ardhshme që të rregullohen raportet me aleatët ndërkombëtarë.
“Mendoj se vendosja e kontrollit mbi atë pjesë të territorit të Kosovës ka pasur çmim të lartë – cenimi i raporteve me aleatët ndërkombëtarë, që për Kosovën është çështje kryesore. Nuk ka vend në botë që i duhet më shumë mbështetja ndërkombëtare sesa Kosovës. Udhëheqja e tashme, por edhe qeveria e ardhshme, pavarësisht se cila do të jetë, obligim të parë duhet ta ketë riparimin e raporteve sidomos me SHBA-në. S’mund Kosova të ecë para me raporte të çrregulluara me SHBA-në”, tha Koci, ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë.
Sa i përket deklaratës së fundit të emisarit të SHBA-së për misione të posaçme, Richard Grenell, se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, Koci thotë se është nxitur nga një deklarim që bëri kryeministri i Kosovës dy ditë më parë.
“Deklarata e Grenellit është nxitur nga një deklaratë e kryeministrit Kurti, që pardje tha se raportet e Kosovës me SHBA-në kurrë s’kanë qenë më të mira. Mendoj se kjo nuk qëndron, çdo qytetar në Kosovë e di këtë. Nuk janë në momentin më të mirë raportet Kosovë – SHBA, ka pasur përplasje, mospajtime dhe e dimë këtë. Mendoj se ishte deklaratë e nxituar nga kryeministri Kurti dhe shkaktoi reagim të tillë të Grenellit”, tha Koci.
Osmani: Në veri tash ka siguri, por serbët ende varen financiarisht nga Serbia
Betim Osmani nga iniciativa qytetare “Mitrovica”, ka deklaruar se veriu i Kosovës është i sigurt, por sipas tij, serbët lokalë aty ende janë të varur financiarisht nga Beogradi zyrtar.
Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se Qeveria e Kosovës duhet t’iu ofrojë alternativa serbëve lokalë në mënyrë që të mos varen nga Serbia.
Osmani ka shtuar se nëse serbët janë të varur financiarisht nga Serbia, nuk do të jenë të lirë.
“Siguria është në nivel, por aspekti financiar për ato familje që varen nga shteti i Serbisë nuk është. Nëse Qeveria jonë s’iu ofron alternativa dhe s’iu ofron kushte për punë, spitali me qendër në veri është për tërë Kosovën, e jo vetëm për veriun e Kosovës. Qytetarët e komunitetit serb shkojnë në Mitrovicë të veriut, e institucionet tona s’e marrin nën menaxhim spitalin dhe universitetin. Është problem të thuash se janë qytetarët të lirë të vendosin se kush do t’i përfaqësojë nëse varen nga shteti i Serbisë”, ka thënë Osmani.