Arbëri

Osmani në takim me delegacionin amerikan, flet për rëndësinë e investimeve në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka pritur në takim një delegacion të lartë të zyrtarëve dhe bizneseve amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD), të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit.

Sipas një njoftimit të Zyrës së Presidencës, në takim me delegacionin amerikan, Osmani ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore.

“Nisur nga interesimi i kompanive për zhvillimet në sektorin e energjisë, presidentja Osmani foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori”, thuhet në njoftim.

Në takim thuhet se është biseduar edhe për mundësitë e shumta për projekte, të cilat theksohet se janë në interes të përbashkët e gjeostrategjik për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi aleancën e fortë me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në vlera të përbashkëta. Presidentja ka theksuar se përqendrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, progresi i cili njihet edhe ndërkombëtarësisht, është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se POD-të janë një nismë që kanë për qëllim nxitjen e bashkëpunimit më të thellë midis Shteteve të Bashkuara, vendeve me rëndësi strategjike, si dhe sektorit privat.

Kjo nismë sipas njoftimit eksploron një gamë të gjerë partneritetesh të mundshme për të bashkëpunuar në projekte specifike që avancojnë prioritetet e politikave të përbashkëta.