Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot ambasadorët e Finlandës, Norvegjisë dhe Çekisë.
Në takimin me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, Osmani ka pranuar urimet për zgjedhën e saj në krye të Kuvendit, derisa Stjernvall ka premtuar se do të angazhohet në përkrahjen e iniciativave në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Në takim u diskutua lidhur me planin e punës së Kuvendit edhe në fushën e diplomacisë parlamentare, si dhe për mbikëqyrjen sa më efektive të punës së ekzekutivit.
Në takimin me ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondah, Osmani ka thënë se po përpiqen që ta fuqizojnë rolin e punës së Kuvendit të Kosovës, në funksion të efikasitetit të punës së institucioneve, rritjes së transparencës dhe afirmimit të të drejtave të njeriut.
Në takim u diskutua mundësia e bashkëpunimit parlamentar me shtetin e Norvegjisë si dhe thellimit të bashkëpunimit edhe në fusha tjera.
Gjatë ditës së sotme, Osmani, u takua edhe me ambasadorin e Republikës Çeke, Pavel Bílek.
Në këtë takim, ambasadori Bilek i dorëzoi kryeparlamentares Osmani telegramin e urimit nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Senatit Çek, Jiri Ruzicka, për marrjen e mandatit të kryetares së Kuvendit.
Me këtë rast, ambasadori Bilek potencoi gatishmërinë e Republikës Çeke të rrisë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e ekonomisë. Në të njëjtën kohë, ambasadori Bilek konfirmoi përkrahjen e shtetit çek për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Ndërkaq Osmani shfaqi përkushtimin për dinamizimin e punës së legjislativit kosovar.
“Kuvendi duhet të miratojë ligje kualitative që do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë ajo.
Ajo ka potencuar nevojën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe krijimin e konsensusit nacional për çështjet që ndërlidhen me agjendën evropiane, si dhe luftimin e krimit e korrupsionit në vend.