Arbëri

Osmani: Me administratën Trump synojmë thellimin e bashkëpunimit

Vjosa Osmani dhe Brian Mast

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se me administratën e presidentit të ri amerikan Donald Trump, synojnë thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në fusha të ndryshme. 

Këtë Osmani e ka thënë në një postim në Facebook ku ka njoftuar se të enjten e ka takuar kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Brian Mast. 

Osmani ka shkruar se në këtë takim kanë diskutuar për lidhjen historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, siç ka theksuar “një aleancë e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri”.

“Me administratën e presidentit Trump, synojmë thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, investimet strategjike dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar Osmani. 

Tutje ajo ka theksuar se “mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë!”.

Presidentja Osmani po qëndron për vizitë në SHBA ku ka mbajtur edhe një fjalim, si e ftuar speciale në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, ngjarje që ka traditë gjashtëdekadëshe.