Arbëri

Osmani mbështet përgjigjen që Qeveria ia dha QUINT-it për shpronësimet në veri

Vjosa Osmani

Foto: Alban Bujari

Presidentja Vjosa Osmani, u është përgjigjur shteteve të QUINT-it, të cilat shprehën shqetësimin e tyre rreth shpronësimeve në veri.

Ajo ka thënë se këto shpronësime janë në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Evropiane, dhe se e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe të qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Osmani ka mbështetur deklaratën e Qeverisë në reagim ndaj QUINT-it, duke thënë se institucionet e kanë dhënë shpjegimin e duhur se si është bërë kjo procedurë.

“Çështja e shpronësimeve çdo qytetar i Republikës së Kosovës pavarësisht etnisë duhet të analizohet vetëm në kontekst të përputhshmërisë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara dhe këto rregulla jo vetëm që përcaktohen me ligje tona por edhe me standardet evropiane të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për aq sa respektohen këto standarde është një test pesë hapësh i i paraparë nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përderisa respektohet ky standard dhe pesë hapat janë aplikuar kjo tregon se është zbatuar edhe ligji ynë edhe kërkesat tona Kushtetuese edhe standardet evropiane të drejtave të njeriut dhe shpronesimet vazhdojnë në përputhje me ligjin pa asnjë tendencë për diskriminim të askujt", ka theksuar ajo./ EO

​Draftstatuti i Lajçakut në Komisionin e Venecias, Osmani thotë se Kurti nuk ia prezantoi këtë ide

Pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që drafti i propozuar nga emisari Miroslav Lajçak të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias, presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se ende nuk iu është prezantuar një ide e tillë.

Osmani tha se kurdo që i prezantohet institucionit të presidentes kjo ide do të shqyrtohet. Nëse sipas saj vlerësohet se kjo e ndihmon Republikën e Kosovës, nuk ka asnjë arsye që mos të përkrahet.

"Nuk kam pa ide të tillë të prezantuar formalisht. Kurdo që prezantohet te institucioni i presidentes si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj…… Idetë që prezantohen në media nuk mund t’i shoh si formalisht të prezantuara. Sipas kushtetutës dhe komentarit të kushtetutës përcaktimi i objektivave të jashtme bëhet nga kreu i shtetit si udhëheqëse e politikës së jashtme. Pra kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtoj por mendoj se është me rëndësi që çdo propozim e ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nëse e vlerësojmë se kjo e ndihmon Republikën e Kosovës natyrisht se nuk ka asnjë arsye që mos të përkrahet por duhet të prisni edhe pak derisa ta diskutojmë në mënyrë formale këtë propozim”, tha Osmani./ KP