Janë përkujtuar 53 anëtarë të familjeve Muqolli, Caraku e Elshani, prej të cilëve 23 fëmijë, që u masakruan 25 vjet më parë brenda një shtëpie në Poklek të Drenasit. Presidentja Vjosa Osmani tha se krimi i kryer nga Serbia ngjan në Holokaust dhe se urdhërdhënësit jo veç që nuk janë dënuar, por janë dekoruar nga Aleksandër Vuçiq
Janë bërë 25 vjet nga Masakra në Poklek të Drenasit, ku forcat serbe vranë 53 anëtarë të familjes Muqolli, Caraku e Elshani, prej të cilëve 23 fëmijë.
Pasi forcat serbe i ekzekutuan, trupat e viktimave u dogjën me qëllimin për t’i zhdukur gjurmët e krimit. Nga kjo masakër mbetën vetëm disa copëza eshtrash të cilat ishin zor të diheshin se kujt i takonin.
Për Masakrën në Poklek tash e 25 vjet mungon drejtësia.
Gjatë homazheve në këtë përvjetor, presidentja Vjosa Osmani tha se për nga mizoria që u ushtrua, kjo masakër ngjan në Holokaust.
“Thirrja jonë është për drejtësi. Ata që kanë urdhëruar për këtë masakër dihen me emër dhe mbiemër. Qendra për të Drejtat Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë dite ishte në krye të forcave policore, që kanë djegur dhe ekzekutuar këto familje. Por, për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë dënuar, por kanë marrë medalje dhe promovime nga Aleksandër Vuçiq, i cili sot është në krye të Serbisë”, ka thënë presidentja Osmani.
E kryeparlamentari Glauk Konjufca theksoi se Masakra e Poklekut shpërfaq më së miri qëllimin e Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar.
“Këtu 25 vjet më parë ndodhi një prej akteve të rënda të gjenocidit që Serbia okupatore i kreu mbi popullatën tonë civile. Nga 54 që i vrau, 25 ishin fëmijë, këtu në Poklek, gjë që e tregon qëllimin e vërtetë gjenocidial të Serbisë, sepse gjithkush e shtron pyetjen e natyrshme, çfarë faji kishin fëmijët që t’i vrajë Serbia? Të vetmin faj në thonjëza, që ata e kishin ishte pse ishin shqiptarë. Kjo ishte arsyeja pse ishin ekzekutuar ata, gjë që tregon se qëllimi përfundimtar i Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë”, ka thënë Konjufca. “Kurse ne, jo vetëm që e kujtojmë me pikëllim këtë masakër, por edhe ndihemi të poshtëruar si popull, meqenëse nuk erdhi kurrë drejtësia për këto krime që i kryen forcat e armatosura serbe të ushtrisë dhe policë”, ka thënë Konjufca.
Përveç Poklekut, Osmani e Konjufca homazhe bënë edhe në Çikatovë të Vjetër.
Edhe prej aty u kërkua që institucionet të vendosin drejtësi për viktimat e luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë.