Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në shënimin e 25-vjetorit të Betejës së Koshares. Deputetët e kanë nisur seancën me një minutë heshtje.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beteja e Koshares ishte pikë kthese për popullin kundër regjimit gjenocidal serb. Ajo ka theksuar se luftëtarët e kësaj beteje dhanë gjithçka për atdheun dhe realizuan ëndrrën shekullore.
“25 vjet më parë qëndruam në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia e tirania e një regjimi gjenocidal. Sot jemi këtu për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave e djemve të Kosovës. Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Ishte më shumë se rezistencë ishte kryengritje civile për lirinë themelore. Filozofia e mbrojtjes së pragut të shtëpisë u shndërrua në nevojë të mbrojtjes së përgjithshme. Në këtë betejë, luftëtarë shembullorë si Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni, arritën të realizojnë ëndrrën shekullore thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar… luftëtarët e UÇK-së në Betejën e Koshares dëshmuan shpirtin vetëmohues për t’i dhënë gjithçka atdheut edhe gjënë më sublime të tyre, jetën”, ka thënë presidentja para deputetëve.
Osmani ka shtuar se institucionet vazhdojnë përkushtimin për ta forcuar shtetin.
“Teksa kujtojmë me nderimin më të thellë luftëtarët e Brigadës Agim Ramadani riafirmojmë përkushtimin që të punojmë fort për Republikën e Kosovës siç e deshën ata që ranë. Lavdi heronjve të Brigadës Agim Ramadani”, ka përfunduar Osmani.
Kurti: Derisa në ushtrinë serbe gjenim rusë, në UÇK kishte ushtarë nga Evropa
Në 25-vjetorin e Betejës së Koshares, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kjo betejë pati sa rëndësi strategjike aq edhe historike e kombëtare.
Ai ka shtuar se politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia.
“Respektimi i traditave shoqërore dhe historisë së popullit janë parime dhe praktika shoqërore në kulturën e ndërtimit të një shteti modern. Politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia. Në mes të këtij vitit do të përmbushet një çerek shekulli kur vendi ynë u çlirua nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Sot në vigjilje të përvjetorit të 25 të Betejës së Koshares le ta kujtojmë me nderime të merituara këtë betejë. Lufta për shembjen e kufirit kishte rëndësi sa strategjike e operative aq edhe historike e kombëtare. Kur e vizitojmë kompleksin memorial, Beteja e Koshares, e gjejmë edhe Agim Ramadanin nga Zhegra e Gjilanit edhe Sali Çekaj nga Peja”, ka thënë ai.
Kurti është shprehur tutje se derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte ushtarë nga Evropa.
“Meqë Beteja e Koshares ishte një luftë e betejës për liri gjejmë dëshmorë edhe nga Italia, Franca e Algjeria. Derisa nga radhët e ushtrisë serbe gjenim ushtarë rusë, në radhët e ushtrisë së UÇK-së gjenim ushtarë nga Evropa dhe jo vetëm”, ka thënë kryeministri.
Konjufca: Beteja e Koshares ia humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Beteja e Koshares është sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në seancën solemne të 25-vjetorit të Betejës së Koshares, Konjufca ka theksuar se thyerja e kufirit ishte ngjarje historike. Ai ka shtuar se kjo betejë ia pati humbur kontrollin ish-Jugosllavisë.
“Themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet me të rëndësishme të popullit shqiptar, ndërkaq Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të luftës për çlirim. Jemi mbledhur sot në Kuvend për ta kujtuar këtë betejë historike dhe për t’i nderuar të gjithë dëshmorët e rënë në krye me heroin Agim Ramadani. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të UÇK-së. Shembja e kufirit me çizmen e komandantit Agim Ramadani e Sali Çeku ishte nga ngjarjet më historike. Kjo betejë ia ndërroi fizionominë UÇK-së. Kjo betejë shënon një përbashkim të lartë kombëtar. Një gjithëpërfshirje e të gjitha trevave. Beteja e Koshares është betejë edhe me karakter ndërkombëtar jo vetëm pse ranë aty tre dëshmorë të huaj por edhe pse kjo betejë ia humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë që vendosi dhunshëm kufirin mes shqiptarëve”, ka thënë ai.
Konjufca është shprehur se rruga e Kosovës për pavarësi e shtetësi është para së gjithash rezultat i heroizmit të popullit e luftëtarëve të Kosovës.